Inside Story / 90% e ndërtimeve paguhen që në gropë, ekspertët: A rrezikohet qytetari nga mashtruesit…?

28/05/2025 21:49

Imeldi Sokoli, planifikues urban, e sheh intensitetin e lartë të ndërtimit të lidhur me informalitetin e një pjese të madhe të pronave, si pasojë e problemeve të mbartura ndër vite.

“Një pjesë shumë e madhe e pronësisë është një pronë informale. Pra, ti nuk mund ta zhvillosh, nuk mund ta ndërtosh, nuk mund ta shesësh apo nuk mund ta blesh atë lloj prone. Këta aktorë, në mënyrë të natyrshme, do të kërkojnë të gjejnë edhe rrugë ndoshta deri diku të jashtëligjshme për të ndërhyrë në aksione të tilla apo transaksione të tilla të pronësisë, për të zhvilluar këto prona, dhe prandaj ndodhet dhe problemi i mbartur i pronësisë”, thotë ai.

Por, pavarësisht rritjes eksponenciale që po përjeton sektori, pjesa më e madhe e ndërtuesve futen në këtë investim me kapital minimal, pasi blerësit paguajnë nga 90% deri në 100% që në gropë. Madje, në shumë raste ndërtuesit u ngarkojnë edhe detyrime ekstra blerësve.

“Porositësit paguajnë pothuajse 95%, madje së fundmi kam evidentuar 100%. Dhe rasti praktik që po ju sjell, një i fundit, do të paguante të gjithë vlerën monetare, ndërkohë që porositësi nuk kishte të regjistruar lejen e ndërtimit dhe, mbi të gjitha, i ngarkonte çdo lloj detyrimi për regjistrimin, për taksën, për sigurimin dhjetëvjeçar, lidhjen e dritave, çdo gjë tjetër – do të ishte kosto e porositësit. Dhe i thashë: më fal, kjo lloj kostoje e fundit, që në fakt është detyrim i sipërmarrësit, është e tillë që ty mund të të shkojë edhe në një vlerë shtesë, e cila në fund do të të duket shumë, sepse ti po e blen 100% këtë dhe ndërkohë nuk ke asnjë lloj sigurie mbi bazën e saj”, u shpreh Elona Saliaj, notere.

Për ekspertët, ky është një investim i ngjashëm me firmat piramidale, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rreziqeve të humbjes së parave apo pronës së rezervuar. Tregues janë qindra pallate të braktisura nga ndërtuesit ndër vite.

“Ka shumë qytetarë që gjenden në situata të tilla dhe kanë blerë ajrin dhe jo apartamente, nëpërmjet kontratave të porosisë. Unë do porosis të ndërtosh këtë apartament për mua, ti e merr përsipër që po, unë do ta ndërtoj sapo të miratohet leja e ndërtimit – sepse janë edhe disa favore që ua jep Kodi Civil dhe Ligji për Noterinë në realizimin e këtyre kontratave, si bizneseve, ashtu edhe qytetarëve – favore të cilat më pas sjellin pasoja negative për qytetarët”, u shpreh Vasilika Hysi, avokate.

Top Channel