Autoriteti Turk i Aviacionit merr vendimin, kush ngrihet nga vendi para fikjes së shenjës së rripit të sigurimit merr gjobë

28/05/2025 22:53

Autoriteti Turk i Aviacionit Civil ka miratuar një rregullore të re që ndalon pasagjerët të ngrihen nga vendet e tyre përpara se të fiket shenja e rripit të sigurimit pas uljes së avionit.

Shkelja e këtij rregulli do të ndëshkohet me një gjobë prej 70 dollarësh (rreth 62 euro).

Vendimi vjen si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar sigurinë në bord dhe për të minimizuar kaosin gjatë zbarkimit. Autoritetet kanë theksuar se pasagjerët shpesh ngrihen përpara kohe, duke rrezikuar të shkaktojnë lëndime dhe ndërhyrje të panevojshme në punën e ekuipazhit, si dhe duke mos respektuar udhëzimet e sigurisë.

Sipas rregullores, e cila bazohet në nenin 143 të Ligjit të Aviacionit Civil Turk nr. 2920, pasagjerët duhet të qëndrojnë të ulur me rripin e sigurimit të lidhur derisa avioni të ndalet plotësisht në pozicionin e parkimit dhe shenja për rripin e sigurimit të çaktivizohet.

Gjithashtu, ata duhet të presin që të thirret rreshti i tyre për të zbritur nga avioni.

Autoriteti ka kërkuar nga të gjitha linjat ajrore që operojnë në Turqi të informojnë qartë pasagjerët për këto rregulla të reja, si gjatë njoftimeve audio në bord ashtu edhe përmes materialeve vizuale.

Turkish Airlines ka përditësuar tashmë njoftimet standarde të uljes për të përfshirë paralajmërime specifike për penalizimet në rast të mosrespektimit.

Ky hap i ri shënon një përpjekje të shtuar për të kultivuar më shumë disiplinë dhe respekt ndaj rregullave të sigurisë në fluturime, sidomos në kohën kur industria ajrore përballet me një numër në rritje të pasagjerëve dhe incidenteve të sjelljes së pahijshme në bord./Tar

Top Channel