
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur një sulm të ri ndaj Kalifornisë, duke kërcënuar se do të ndërpresë fondet federale për shtetin, pas pjesëmarrjes së një nxënëseje transgjinore të shkollës së mesme në garat shkollore.
Ky është AB Hernandez (red. biologjikisht djalë), i cili garoi dhe fitoi dy tituj rajonalë në kërcim për së gjati, në kategorinë e vajzave. “KJO NUK ËSHTË E DREJTË DHE PLOTËSISHT FYESE PËR GRATË DHE VAJZAT”, shkroi Trump në Truth Social, duke deklaruar se “financimi federal në shkallë të gjerë do të pezullohet, ndoshta përgjithmonë”, nëse urdhri ekzekutiv i administratës së tij për këtë çështje nuk zbatohet.
Përveç kërcënimit për ndërprerjen e fondeve, Trump “urdhëroi” autoritetet lokale që ta ndalonin atleten transgjinore të merrte pjesë në finalet e kampionatit shtetëror. Duke shigjetuar Guvernatorin Demokrat Gavin Newsom, ai shkroi: “Vetë Guvernatori tha se ishte ‘E PADREJTË’.” “Do të flas me të sot për të parë se në cilin drejtim dëshiron të ecë.”
Newsom, i cili më parë është shprehur hapur në favor të të drejtave LGBTQ+, kohët e fundit deklaroi se çështja e sportisteve transgjinorë që marrin pjesë në sportet e grave është një “çështje drejtësie”, duke shkaktuar reagime të ashpra brenda partisë së tij. Megjithatë, zyra e guvernatorit, siç vëren Politico, nuk iu përgjigj menjëherë komenteve të Trump.
Urdhri ekzekutiv i Trump, i nënshkruar shkurtin e kaluar, u ndalon studentëve transgjinorë të marrin pjesë në sportet e grave. Që atëherë, kjo ka shkaktuar përplasje me guvernatorët demokratë, më i fuqishmi me guvernatoren e Maine, Janet Mills, e cila ka refuzuar të thotë nëse do ta zbatojë atë.
Administrata e saj madje paditi Ministrinë e Bujqësisë për shkurtime fondesh, duke e fituar atë çështje. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë gjithashtu veprime ligjore kundër Maine. Me sa duket, Uashingtoni po përdor fondet si levë kundër shteteve që nuk i zbatojnë rregullat. Trump ka ndërmarrë gjithashtu veprime më specifike. Në mars, ai “shkurtoi” 175 milionë dollarë fonde për Universitetin e Pensilvanisë për shkak të politikës së tij në favor të sportistëve transgjinorë.
Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 65% e votuesve të mundshëm në Kaliforni mbështesin sportistët transgjinorë me seksin që u është caktuar në lindje, jo me identitetin e tyre gjinor. Qëndrimi i opinionit publik e forcon argumentin e Trump, i cili duket i vendosur ta rikthejë çështjen në krye të axhendës politike…
Top Channel