
Një ngjarje tragjike ndodhi vonë mbrëmjen e së hënës në Fairmount Park të Filadelfias, ku një incident me armë zjarri la dy persona të vdekur dhe të paktën tetë të tjerë të plagosur.
Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën rreth orës 22:30 (sipas kohës lokale), në afërsi të kryqëzimit midis Lemon Hill Drive dhe Poplar Drive. Policia raportoi se incidenti shpërtheu pas një gare makinash që po zhvillohej në zonë.
Mes të plagosurve ndodhen edhe të paktën dy të mitur, ndërsa një person tjetër është goditur nga një makinë teksa përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes në mes të kaosit. Ai është dërguar menjëherë në spital për trajtim.
Mediat lokale theksojnë se parku ishte i mbushur gjatë gjithë ditës me familje që festonin Ditën e Përkujtimit, duke organizuar barbeque dhe aktivitete të tjera festive.
Moshat dhe identiteti i viktimave nuk janë bërë ende të ditura. Deri më tani nuk është konfirmuar nëse është kryer ndonjë arrestim në lidhje me të shtënat.
Një prani e madhe e forcave të rendit u vu menjëherë në lëvizje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Top Channel