
Aulon Kalaja, kandidati demokrat i listave të hapura në zgjedhjet e 11 majit kërkon që SPAK të hetojë Këshillin e Ministrave.
Dyshimet e tij lidhen me vendimin e këshillit të ministrave mbi faljen e gjobave te papaguara e të pa ekzekutuara nga 2015 e në vijim.
Aulon Kalaja pretendon se falja e gjobave është krim elektoral. Ndërkohë SPAK po vazhdon hetimet për dosje të tjera mbi zgjedhjet 2025 për të cilat ka deklaruar se nën proces 39 dosje, më të shumtat për korrupsion.
“I jam drejtuar për një kallëzim penal për faljen e gjobave që e kanë bërë dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit është shpërdoru detyra nga Këshilli i Ministrave, mora vesh që Rama s’ka marrë pjesë në mbledhje. Unë jam pro faljes së gjobave se ua kanë nxi jetën por s’mund ta bësh një ditë para zgjedhjeve. Kemi të bëjmë me krim zgjedhor”, tha Kalaja.
Pasi nuk arriti të merrte mandatin e deputetit në Qarkun Durrës, ai paralajmëroi më herët se do t’i drejtohej SPAK-ut me një kallëzim, nëse KQZ do t’i refuzonte kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Aulon Kalaja ishte i pari nga radhët e opozitës që deklaroi se kishte dyshime që vota e tij ishte deformuar brenda kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
“I kam bërë thirrje SPAK, që këtë telefon ta vinin në përgjim dhe të shihnin kam blerë vota. Këto janë vota të pastra, unë nuk i njoh njerëzit që më kanë votuar. E kam me konkurrentët brenda partisë, jo vetëm ma kanë vjedhur por dhe ma kanë trafikuar brenda kutisë, dhe për këtë do të bëjë kallëzim. Krimi është brenda kutisë, dhe i kam lënë vetë, që të shkojmë në prokurori se dikush duhet të bëhet shembull”, tha Kalaja pak ditë më parë në Top Story.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kalaja u rendit i dyti në listën e hapur të opozitës në Durrës, me 7291 vota, ndërkohë që mandatin e vetëm të kësaj liste e mori Arian Ndoja me 8249 vota.
Top Channel