
Jamarber Malltezi ka depozituar kërkesë në Gjykatën e Lartë për revokimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha ai si bazë ligjore përmend rastin “Gëllçi”.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti Gjykata e Strasburgut e cilësoi të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi.
Sipas avokatit të tij, Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin të pambështetura dhe shumë të përgjithshme.
Dosja “Partizani’ kaloi në gjykim themeli disa ditë më parë.
Mes atyre që do të gjykohen, përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, po ashtu nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Vendimi u dha tetë muaj pasi palët kundërshtuan njëra-tjetrën: nga njëra anë, avokatët e ish-kryeministrit që kërkuan pushimin e çështjes, dhe nga ana tjetër SPAK, që insiston se ish-funksionari është korruptuar nga dhëndri i tij, të cilin e kishte korruptuar biznesmeni Fatmir Bektashi për të nxjerrë ligje në favor të familjeve pronare.
Këto akte nënligjore, sipas SPAK, u përshtatën me nevojat e pesë familjeve pronare të truallit ku ndodhej Sport Klub Partizani.
Për këtë çështje, SPAK ka vendosur sekuestrim ndaj disa pasurive, ndërkohë që në arrest shtëpiak vazhdon të jetë dhëndri i ish-kryeministrit, i cili fillimisht ishte lënë në masën “detyrim paraqitje” në fillim të janarit.
Top Channel