
Një 36-vjeçar shqiptar ka rënë në pranga në Dubai pasi akuzohet se pastroi paratë e një grupi kriminal në Elbasan.
Ai është identifikuar si Armis Stafa alias Armees Stava.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë operacionit “The Wanted” ai u kap në Dubai me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu Dhabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
Top Channel