BE, 150 mld euro për mbrojtjen! Zbulohet plani i ri “ombrellë” në rast të një tërheqjeje nga SHBA-ja nga mbështetja për Ukrainën

27/05/2025 12:42

Bashkimi Europian pritet t`i japë zyrtarisht dritën jeshile skemës prej 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet për mbrojtjen brenda bllokut.

E njohur ndryshe si SAFE, apo aksioni i sigurisë për Europën, rregullorja në fjalë u propozua fillimisht në muajin mars nga Komisioni Europian, si përgjigje ndaj thirrjeve të vendeve anëtare për mbështetje financiare dhe politike në përmbushjen e objektivave të reja të mbrojtjes të shtyra përpara nga NATO – dhe për të qenë potencialisht zëvendësuese për Ukrainën, në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin ta spostojnë fokusin e tyre diku tjetër.

Rregullorja përfundimtare, sipas REL, e thekson qartë se “kërcënimet që paraqesin Rusia dhe Bjellorusia janë të një rëndësie dhe urgjence të veçantë” dhe duhet të marrin kundërpërgjigje me shpejtësi.

Për shkak të kohës së nevojshme për të zhvilluar produkte mbrojtëse dhe për të rritur kapacitetin industrial të prodhimit në të gjithë BE-në, rregullorja thekson gjithashtu se do të jetë “jetike” që blloku evropian të nisë mbështetjen për vendet anëtare “sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ato të mund të bëjnë porosi shumë shpejt”.

Brukseli fillimisht iu përgjigj thirrjeve të vendeve anëtare duke aktivizuar klauzolën kombëtare të përjashtimit për shpenzimet ushtarake të BE-së, që do të thotë se shpenzimet për artikuj si armët dhe municionet nuk do të përfshihen në mekanizmin ndëshkues të bllokut për vendet që shkelin kufijtë e shpenzimeve të BE-së.

Kjo krijoi hapësirë fiskale – por vendet anëtare gjithashtu kanë nevojë për para sa më shpejt që të jetë e mundur. Për SAFE, blloku do të përdorë vlerësimin e tij të kreditit të nivelit më të lartë (AAA) për të mbledhur 150 miliardë euro në tregje dhe më pas do t’ua huazojë ato vendeve anëtare.

Në këtë mënyrë, do të jetë shumë më e lirë sesa nëse shumica e vendeve të BE-së do të përpiqeshin të gjeneronin fondet vetë duke marrë hua individualisht.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta