Zbulohet raporti amerikan për luftën: 1 milion ushtarë rusë të vrarë, në një vit trupat e Putinit pushtuan vetëm 0.6% territor ukrainas

26/05/2025 13:36

Trupat e Ushtrisë së Moskës vazhdojnë të përparojnë në Lindje të Ukrainës.

Në shënjestër është sërish qyteti i Kostyantynivka, gjithmonë një objektiv për rusët, por tani veçanërisht i dëshiruar për një arsye shumë të qartë.

Pikërisht nga këtu, nga Kostyantynivka – paralajmëron inteligjenca perëndimore – forcat e Kremlinit mund të mbështesin rrethimin e Pokrovsk dhe Myrnohrad.

Nga ana tjetër, kapja e Pokrovsk, që ndodhet nën rrethim që nga vera e kaluar dhe ka qenë një qendër ushtarake e rëndësishme për Ukrainën, do t’u lejonte ushtarëve të Putinit të zbrisnin drejt jugperëndimit, në drejtim të Dnipro dhe Zaporizhzhia.

Një ëndërr e vërtetë për “carin”, i cili në këtë mënyrë mund të detyronte Kievin të dorëzohej.

Megjithatë, vetëm Kostyantynivka nuk mjafton për të arritur një qëllim të tillë. Për të pasur sukses, do të duheshin përparime të mëtejshme drejt Chasiv Yar dhe Toretsk, zona në të cilën rusët kanë bërë disa përparime javët e fundit pranë Lyman, vetë Toretsk dhe Novopavlivka. Por jo mjaftueshëm.

Nga epërsia në tokë te ajo në ajër. Natën mes së premtes dhe të shtunës, forcat ruse kryen një nga sulmet më të mëdha të kombinuara me dronë të prodhimit iranian dhe raketa balistike ndaj Ukrainës.

Një fuqi zjarri mbresëlënëse, por që – sipas inteligjencës perëndimore – ka përfshirë më pak raketa sesa sulmet e mëparshme. Edhe pse numri është më i ulët, efektiviteti është më i madh për forcat ajrore ukrainase, që shpjegojnë se modelet e reja të raketave Iskander janë më të sakta dhe më të vështira për t’u kapur nga sistemet Patriot.

Përballë epërsisë ushtarake të Moskës, sipas zyrtarëve të lartë dhe ekspertëve amerikanë dhe europianë, forca e “carit” në fushën e betejës po dobësohet dhe Moska mund të përballet me një mungesë serioze të trupave dhe pajisjeve deri vitin tjetër.

Këtë e shkruan “Washington Post”, që thekson se vendimi i Trump për të hequr dorë nga kërcënimi i sanksioneve të forta financiare për të detyruar Putinin drejt një armëpushimi nuk është racional nga pikëpamja ushtarake. Përkundrazi – shpjegojnë zyrtarët në kushte anonimiteti – momenti i duhur për ta ulur liderin rus në tryezën e bisedimeve është pikërisht tani. Sepse, në mungesë të një marrëveshjeje ose një mbështetjeje “të fortë” perëndimore për Kievin, lufta do të vazhdonte të zhvillohej ngadalë në favor të Rusisë në vitin 2025. Por pastaj gjërat do të ndryshonin.

Kjo analizë konfirmohet edhe nga raporti i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së (DIA), paraqitur para Kongresit dhjetë ditë më parë nga drejtori i agjencisë, Jeffrey A. Kruse.

Sipas DIA-s, që nga shkurti 2022 Moska ka humbur të paktën 10 mijë mjete luftarake tokësore, përfshirë më shumë se 3.000 tanke, si dhe rreth 250 avionë dhe helikopterë, dhe më shumë se 10 anije ushtarake.

Për më tepër: mes viteve 2024 dhe 2025 Rusia ka fituar vetëm 0.6% më shumë territor ukrainas krahasuar me vitet e mëparshme, me një kosto prej 1.500 të vrarë ose të plagosur në ditë.

“Rusët po fitojnë ende gradualisht pjesë territori, por me një kosto të papërballueshme”, ka deklaruar Richard Barrons, ish-shef i Komandës së Forcave të Përbashkëta britanike. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë flasin për një total të të rënëve rusë që shkon deri në një milion.

Nga ana tjetër, Europa po has vështirësi për të gjetur një zgjidhje për të rritur furnizimet për Ukrainën, dhe Kievi përballet me probleme si në rekrutim, ashtu edhe në pajisje, pavarësisht se prodhimi i armëve në vend është në rritje të vazhdueshme.

Si rezultat, asnjëra palë nuk ka arritur të bëjë përparime të rëndësishme në terren, ndërsa lufta është kthyer në një shkëmbim zjarri në distanca të gjata me raketa dhe dronë gjithnjë e më të sofistikuar. Në mes, civilët ukrainas gjithnjë e më të ekspozuar ndaj sulmeve dhe fuqisë shkatërruese të armëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta