
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, siguroi sot se administrata e tij “do ta fitojë” në përleshjen që ai ka pasur me Universitetin e Harvardit, të cilit ai dëshiron t’i ndalojë pranimin e studentëve të huaj.
“Ne ende po presim listën e studentëve të huaj nga Harvardi, në mënyrë që të përcaktojmë, pas një shpenzimi absurd prej miliarda dollarësh, se sa të çmendur të radikalizuar, të gjithë shkaktarë problemesh, nuk duhet të lejohen të kthehen në vendin tonë”, shkroi presidenti amerikan në një postim në rrjetin e tij social Truth Social.
“Gjëja më e mirë për Harvardin është se ata kërkuan dhe gjetën gjykatësin më të mirë për ta, por mos u shqetësoni, Shteti do të fitojë në fund”, vazhdoi ai.
Të enjten, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Christy Noem, njoftoi heqjen e të drejtës së Harvardit për të pranuar studentë të huaj. Por një gjyqtar e bllokoi shpejt këtë veprim, të cilin universiteti e apeloi në Gjykatën Supreme të premten në mëngjes.
Administrata Trump akuzon Harvardin se refuzon mbikëqyrjen e Uashingtonit mbi procesin e pranimit dhe akuzon universitetin se është një bastion i antisemitizmit, për promovimin e ideve radikale të majta dhe për lidhje me Partinë Komuniste Kineze.
Donald Trump mbrojti dje vendimin e tij për të ndaluar studentët e huaj nga universiteti prestigjioz.
“Ne duam të dimë se kush janë këta studentë të huaj”, shkroi ai.
Administrata më parë kishte anuluar më shumë se 2 miliardë dollarë në grante për universitetin, gjë që çoi në pezullimin e disa programeve kërkimore.
“Po mendoj të tërheq 3 miliardë dollarë në grante nga Harvardi shumë antisemitist dhe t’ua jap shkollave të biznesit në të gjithë vendin. Çfarë investimi i shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara dhe shumë i nevojshëm!”, shtoi Donald Trump në një postim tjetër sot, pa qenë e qartë nëse po i referohej fondeve për Harvardin që administrata e tij tashmë i ka “ngrirë”.
Top Channel