Tentativa e Rusisë për të pushtuar Ukrainën/ Trump kërkon tarifa të reja, Presidenti amerikan kritikon Putin: Është çmendur plotësisht!

26/05/2025 08:07

Donald Trump ka paralajmëruar se nëse presidenti rus Vladimir Putin tenton të marrë kontrollin e gjithë Ukrainës, kjo do të çojë në “rënien” e Rusisë.

Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi ashpër edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në një postim të së dielës në mbrëmje në rrjetin social Truth Social.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht!”, shkroi Trump, duke shtuar se Putin synon të marrë të gjithë Ukrainën dhe nëse e bën këtë, kjo do të jetë fundi i Rusisë.

Më herët gjatë së dielës, Trump u shpreh i befasuar nga intensifikimi i bombardimeve ruse mbi qytetet ukrainase, pavarësisht përpjekjeve të tij për ndërmjetësim armëpushimi. Në përgjigje të pyetjeve për sanksione të reja ndaj Rusisë, Trump tha: “Absolutisht. Ai po vret shumë njerëz. Çfarë dreqin i ka ndodhur?”.

Në postimin e tij, Trump kritikoi edhe Zelensky-n, duke thënë se fjalimet e tij nuk po i bëjnë nder Ukrainës dhe se do të ishte më mirë që të ndalej.

Ndërkaq, Zelensky dënoi “heshtjen e Amerikës” pas sulmit ajror më të madh rus në tre vjet luftë, që shkaktoi vdekjen e të paktën 12 personave, përfshirë tre fëmijë. Autoritetet ukrainase raportuan se Moska ka përdorur 298 dronë dhe 69 raketa në sulmet e fundit.

Presidenti ukrainas tha se çdo sulm i tillë është arsye për sanksione të reja ndaj Rusisë.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump pretendoi se do të ndalonte luftën në Ukrainë brenda 24 orësh nëse do të zgjidhej, por sulmet e fundjavës sfidojnë këtë pretendim.

Ukraina dhe aleatët e saj po përpiqen të nënshkruajnë një armëpushim 30-ditor si hap drejt negociatave për t’i dhënë fund konfliktit. Por Trump ka refuzuar të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Moskës, duke penguar përpjekjet e Kievit.

Shefi i kabinetit të Zelensky-t, Andriy Yermak, paralajmëroi se pa presion ndërkombëtar, Rusia do të vazhdojë të luftojë dhe të prodhojë armë për të vazhduar konfliktin.

Top Channel