“Tarifa 50% mbi çdo mall”/ Trump i jep afat deri në 9 korrik Europës për marrëveshje tregtare

26/05/2025 07:40

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar të shtyjë deri më 9 korrik afatin për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Europian, pas kërcënimit për vendosjen e tarifave 50% ndaj mallrave europiane.

Vendimi erdhi pas një bisede telefonike që Trump zhvilloi të dielën me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ajo u shpreh se BE-ja është e gatshme të përparojë drejt një marrëveshjeje, por kërkoi kohë deri më 9 korrik për të përfunduar një marrëveshje “të mirë”.

Trump kishte njoftuar muajin e kaluar vendosjen e një tarife 20% mbi shumicën e mallrave europiane, por më vonë e uli në 10% me afat deri më 8 korrik, për të krijuar hapësirë për negociata. Të premten, presidenti amerikan u shpreh i pakënaqur me ritmin e bisedimeve dhe paralajmëroi rritjen e tarifave në 50%, duke cituar “mungesë përparimi”.

“Ursula më tha se do të takohemi shpejt për të parë nëse mund të gjejmë një zgjidhje,” tha Trump para gazetarëve, duke shtuar më pas në rrjetin e tij Truth Social se ishte “privilegji im të shtyj afatin”.

Kreu i tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, konfirmoi më vonë angazhimin e bllokut për një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar. Pas një bisede me përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, ai deklaroi: “BE-ja është e angazhuar plotësisht për të arritur një marrëveshje që funksionon për të dy palët.”

Pavarësisht se BE është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, Trump ka kritikuar prej kohësh marrëdhënien tregtare me bllokun europian, veçanërisht për sektorët e makinave dhe produkteve bujqësore. Tarifat mbi çelikun dhe aluminin nga BE-ja (25%) vijojnë të mbeten në fuqi, pavarësisht pauzave të përkohshme për negociata më të gjera.

Nga ana tjetër, BE-ja kishte kërcënuar me vendosjen e një tarife 25% ndaj mallrave amerikane me vlerë 18 miliardë euro, por e vuri në pritje për të shmangur përshkallëzimin. Aktualisht, blloku po konsultohet edhe për masa shtesë ndaj importeve amerikane, me vlerë deri në 95 miliardë euro.

Franca dhe Gjermania, ndër vendet kryesore të BE-së, kanë kërkuar zgjidhje diplomatike dhe paralajmërojnë se përshkallëzimi i mëtejshëm do të dëmtonte të dy ekonomitë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta