
Gjyqi i një kirurgu francez i cili për vite me radhë abuzoi seksualisht me qindra pacientë, shumica prej të cilëve të mitur, hyn në fazën e tij përfundimtare këtë të hënë.
Joel Le Scouarnec, 74 vjeç, ka pranuar se ka sulmuar seksualisht ose përdhunuar 299 pacientë në spitale në Francën perëndimore midis viteve 1989 dhe 2014, shumë prej tyre ndërsa ishin nën anestezi ose zgjoheshin pas operacioneve. Nga këta pacientë, 256 ishin nën moshën 15 vjeç në atë kohë. Prokuroria kërkoi dënimin maksimal prej 20 vitesh dhe bëri kërkesën që ai të mbahet në një qendër për trajtim dhe mbikëqyrje edhe pas çdo lirimi.
“Ti ishe djalli dhe ai ndonjëherë është i veshur me një pallto të bardhë”, tha prokurori duke shtuar se një gjyq shtesë mund të kërkohet për të mbuluar rastet e viktimave të tjera Vendimi nga gjykata pritet të mërkurën. Por përpara kësaj, avokatët e tij mbrojtës, do të paraqesin argumentet e tyre. Le Scouranec akuzohet në këtë gjyq për 111 përdhunime dhe 189 sulme seksuale dhe pritet të dalë këtë javë si një nga grabitqarët seksualë më të dënuar në historinë e Francës.
Një nga avokatët e kirurgut tha javën e kaluar se klienti i tij ishte “plotësisht fajtor” dhe mbrojtja pritet të mos hedhë asnjë dyshim mbi rëndësinë e krimeve të tij. Por ata mund të përpiqen të argumentojnë se pendimi i ish-kirurgut, i cili u kërkoi falje viktimave të tij, është i sinqertë dhe se ai ka pësuar evolucion personal pas hekurave. Ndërsa kirurgu pranoi përgjegjësinë, ai gjithashtu tha vazhdimisht se nuk i kujtoheshin veprimet e tij.
Ish-kirurgu ushtroi profesionin për dekada të tëra deri në daljen në pension në vitin 2017, pavarësisht një dënimi në vitin 2005 për posedim të imazheve abuzive seksuale të fëmijëve. Le Scouarnec është tashmë në burg pasi u dënua në dhjetor 2020 me 15 vjet burg për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj katër fëmijëve, përfshirë dy nga mbesat e tij.
Top Channel