
E ftuar sot në “Top Story” me Grida Dumën, gazetarja Esiona Konomi, foli për fjalimin e fitores së Edi Ramës që mbajti sot para deputetëve dhe deputeteve të PS-së.
Ajo tha se pikëpyetja është se si do kompozohet qeveria e re dhe grupi parlamentar. Sipas saj kapaku i fjalimit ishte kur kryesocialisti tha që nuk kanë 83 mandate, por 1 mandat për PS-në.
Sipas Konomit fjalimi i tij nuk ishte i denjë si fjalim fitues, për shkak të epiteteve për kundërshtarët politik dhe aq më tepër ngaqë u mbajt në oborrin e mbretit, ku dikur përdorej për të deklaruar modestinë dhe vetëpërmbajtjen.
Esiona Konomi: Kam përshtypjen që të gjithë po presin me një lloj ankthi. Shtatori është ankth për të gjithë ata që fituan. Si do të jetë qeveria e re e Edi Ramës në këtë mandat të katërt? Si do të jetë kompozimi i grupit parlamentar dhe shpërndarja e roleve në parlament, që është jo pak e rëndësishme për karrierën e gjithsecilit. Ishte me interes edhe premtimi i Edi Ramës edhe për ata që nuk mundën të rikonfirmoheshin në parlament, të cilëve iu tha se kam poste për ju nëse doni të punoni ende me mua, por duhet të tregoni devotshmëri akoma. Ajo që për mua ishte kapaku, ishte fjalia e fundit e fjalimit kur Rama tha: Ne nuk kemi 83 mandate, ne kemi një mandat që është PS.
Pra për ta, të gjithë u barazuan në numra, që pa të dhe pa PS nuk kishin ndonjë vlerë të posaçme. Kjo ishte shija që unë përjetova nga marrëdhënia e tij me të vetët. Me një ftesë që ishte bërë për një festë, që në fakt ishte vetëm mbajtja e një fjalimi në një oborr që dikur e përdorte mbreti për të deklaruar modestinë dhe vetëpërmbajtjen, por që vetë nuk u vetëpërmbajt kur vuri disa epitete për kandidatin tjetër për kryeministër që humbi zgjedhjet. Fjalia “kufomë ambulante” apo etiketimi për PD-në, “uturaku i një 80-vjeçari”, që një fitues me këtë thellësi fitoreje mund t’i kishte shmangur.
Top Channel