Pas bisedimeve Ukrainë-Rusi në Stamboll, ministri i jashtëm i Turqisë takon Putin në Moskë

26/05/2025 22:43

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan u takua sot në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan dhe Putin diskutuan përpjekjet e fundit që synojnë t’i japin fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, pas bisedimeve ruso-ukrainase të 16 majit në Stamboll, si dhe çështjet dypalëshe në sektorët ekonomikë dhe të energjisë.

Ministri i Jashtëm turk, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare dy-ditore në kryeqytetin rus, më parë u takua me këshilltarin e Presidentit Putin, Vladimir Medinsky, i cili kryesoi delegacionin rus në bisedimet me Ukrainën në Stamboll.

Axhenda e Ministrit të Jashtëm turk sot përfshin gjithashtu takime me anëtarët e bordit të Këshillit të Biznesit Ruso-Turk dhe kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse, Sergei Naryshkin.

Hakan Fidan pritet të takohet me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të martën.

Top Channel