
Një 46-vjeçar është kapur në flagrancë në Himarë, pasi u konstatua se kishte kryer disa vjedhje në një kompleks apartamentesh pushimi dhe në një banesë private.
Gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronte, atij iu gjetën 10 granata dore, sende të vjedhura dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë veprimtarisë kriminale.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se gjatë mëngjesit të datës 25 maj, i arrestuari kishte vjedhur tre aparate celularë dhe një shumë parash nga një kompleks turistik. Pas kontrollit, në vendin ku qëndronte u gjetën gjithashtu gjashtë celularë të tjerë dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë vjedhjeve.
Nga hetimi rezultoi se ai është autor i dy vjedhjeve të tjera, të ndodhura më 7 dhe 11 maj, në të njëjtin kompleks dhe në një banesë në lagjen “Livadh”, ku janë grabitur pajisje elektronike dhe shuma prej 98,000 dhe 90,000 lekësh.
Ndërkohë, është arrestuar edhe një 27-vjeçare nga Vlora, e cila ndodhej në të njëjtin ambient me autorin dhe dyshohet se ishte në dijeni të veprimtarive të tij, por nuk i kallëzoi ato.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur nëse i arrestuari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh në zonën bregdetare.
Top Channel