Drogë me postë! Kapet valixhja me 19 kilogramë hashash, ishte nisur nga Tailanda në Tiranë

26/05/2025 21:20

Aventura e 39-vjeçarit Dhimitër Shehu përfundoi sapo zbriti në tokën shqiptare. Ai kishte udhëtuar nga Tailanda me transit në Dubai, ndërsa destinacioni i tij final ishte Tirana.

Antidroga e Tiranës identifikoi valixhen me 19.4 kilogramë drogë dhe bëri arrestimin në flagrancë. Droga erdhi në vendin tonë nga Tailanda me valixhe nga një 39-vjeçar i cili u arrestua nga policia.

Por trafiku i drogës në këtë formë është më i rrallë, gjatë këtij viti ka pasur vetëm tre raste. Më i shpeshtë është trafiku nëpërmjet postës.

Për të shmangur një fund si të tij, trafikantët që sigurojnë drogë nga Tailanda, SHBA apo Kanadaja, gjithnjë e më shpesh e dërgojnë atë me postë.

Florida Tilki, specialiste e antidrogës, Tiranë: Trafikantët zgjedhin postën si mënyrën më të shpejtë dhe më pak të kushtueshme, por edhe sepse ekzistojnë më shumë hapësira për të shmangur kontrollin. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit, policia ka zbuluar 10 raste. Pakot variojnë nga 500 gramë në 5 kilogramë. Më së shumti, dërgohet kokainë dhe kanabis laboratorik.

Jo rrallë herë këto pako vijnë transit në Shqipëri pasi destinacion final kanë vendet e Be ose mbretërinë e bashkuar. Në këtë formë policia sekuestron drogën por marrësi mbetet anonim.

Përdorimi i drogës, sidomos nga të rinjtë, është kthyer në një problem serioz social. Në Tiranë, disa zona konsiderohen me risk të lartë edhe nga vetë policia.

Florida Tilki, specialiste e antidrogës, Tiranë: Konsumohet më së shumti kokainë dhe kanabis laboratorik. Zonat më problematike janë Tirana e Re, Ish-Blloku, Lapraka dhe Kamza.

Pavarësisht operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e rrjeteve të shpërndarësve, të rinjtë vazhdojnë të bien pre e këtij rrethi vicioz.

Florida Tilki, specialiste e antidrogës, Tiranë: Shpërndarësit janë kryesisht të rinj, 18-25 vjeç, me precedentë penalë dhe nga shtresa të varfra ose të margjinalizuara të shoqërisë.

Trafiku dhe përdorimi i drogës nuk Ndalet, ai vetëm ndryshon formë dhe kjo ë bën luftën ndaj këtij fenomeni edhe më të vështirë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta