
Shefi i forcave të armatosura të Gjermanisë, Carsten Breuer, ka urdhëruar që ushtria gjermane të pajiset plotësisht me armë dhe pajisje të tjera deri në vitin 2029, sipas Reuters.
Deri në vitin 2029, Rusia mund t’i ketë rindërtuar forcat e saj mjaftueshëm për të sulmuar territorin e NATO-s, kanë vlerësuar Breuer dhe zyrtarë të tjerë të lartë të NATO-s.
Sipas Reuters, dokumenti, i titulluar “Udhëzime Prioritare për Forcimin e Gatishmërisë”, i nënshkruar nga Breuer më 19 maj, thotë se Gjermania do ta arrijë qëllimin me ndihmën e fondeve të vëna në dispozicion nga lehtësimi i “frenës së borxhit”.
Në direktivë, Breuer përcakton përparësitë për armët që do të blihen ose zhvillohen, bazuar pjesërisht në përparësitë e përcaktuara nga NATO. Midis tyre është forcimi i mbrojtjes ajrore të Gjermanisë, veçanërisht për të kapur dronët.
Vitin e kaluar, disa burime i thanë Reuters se NATO do t’i kërkonte Berlinit të katërfishonte aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore, të cilat përfshijnë sisteme me rreze të shkurtër dhe më të gjatë veprimi, të tilla si bateritë Patriot.
Një tjetër përparësi është aftësia për të kryer sulme precize ndaj objektivave më shumë se 500 kilometra larg, si dhe pas vijave të armikut.
Breuer po bën thirrje gjithashtu që municionet e Gjermanisë të rimbushen dhe rezervat e saj të rriten.
Prioritete të tjera të përmendura në dokument janë zgjerimi i shpejtë i aftësive të Gjermanisë në luftën elektronike dhe krijimi i një sistemi elastik të “aftësive sulmuese dhe mbrojtëse” në hapësirë.
Top Channel