
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier, ku babë e bir tentuan të vrisnin një person, pas një konflikti për motive të dobëta.
58-vjeçari, shtetasi me iniciale Ll.M., u godit me sëpatë nga shtetasi P.P., 63 vjeç, i cili është vënë në pranga nga policia. Ndërkohë djali i tij, është shpallur në kërkim. Babë e bir akuzohen për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
I plagosuri, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi:
Tentuan të vrisnin me mjet prerës një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar. Punohet për kapjen e autorit tjetër.
Paraditen e djeshme, njoftohemi se në fshatin Shtyllas, është plagosur me mjet prerës një shtetas.
Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar.
Shtetasi P. P. dhe djali i tij, shtetasi N. P., dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (sopatë), shtetasin Ll. M., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. P., 63 vjeç, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit N. P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtyllas.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sopatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Top Channel