Dështon lëshimi i një anije luftarake në Korenë e Veriut, Kim Jong Un arreston tre zyrtarë

25/05/2025 14:50

Koreja e Veriut ka arrestuar tre zyrtarë të një kantieri detar në veri të vendit, pas një aksidenti gjatë lëshimit në det të një anijeje të re luftarake.

Sipas mediave shtetërore, incidenti ndodhi të mërkurën, kur pjesa e poshtme e një shkatërruesi prej 5,000 tonësh pësoi dëmtime, duke e nxjerrë anijen jashtë ekuilibri në momentin e zbritjes në ujë.

Ngjarja është cilësuar si një “akt kriminal” nga vetë udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë mbi shkaqet e aksidentit.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi se të arrestuarit janë kryeinxhinieri i kantierit detar të Chongjin-it, kreu i ndërtimit dhe një menaxher administrativ. Të tre janë konsideruar “drejtpërdrejt përgjegjës për incidentin”.

Pamjet satelitore të publikuara më vonë treguan anijen të përmbysur, të mbuluar me mushama blu, ndërsa një pjesë e saj dukej se kishte dalë në tokë. Mediat shtetërore nuk raportuan për viktima apo të lënduar dhe thanë se në trupin e anijes nuk ka pasur vrima, ndryshe nga raportimet e para.

KCNA njoftoi se një sasi uji deti kishte hyrë në pjesën e pasme të anijes, ndërsa trupi i saj ishte gërvishtur në njërën anë.

Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un, kritikoi ashpër ngjarjen, duke e quajtur rezultat i “pakujdesisë së plotë, papërgjegjshmërisë dhe qasjeve joshkencore”. Ai paralajmëroi se personat përgjegjës do të përballen me pasoja në një mbledhje plenare që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Nuk është e qartë se çfarë ndëshkimi do të marrë secili prej të përfshirëve, por raportet ndërkombëtare vazhdojnë të dënojnë historikun e Koresë së Veriut për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ky incident ndodh pak javë pas prezantimit të një anijeje tjetër të ngjashme, “Choe Hyon”, e cilësuar nga Kim si një “hap i madh” drejt modernizimit të marinës koreano-veriore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta