Franca dhe Gjermania, non-paper për Republikën Sërpska në Bosnje: BE-ja t’ia pezullojë projektet financiare

24/05/2025 16:05

Një non-paper, apo dokument jo-zyrtar i hartuar nga Franca dhe Gjermania me në fokus Republikën Sërpska në Bosnje, tregon gatishmërinë e tyre për të frenuar hovet nacionaliste të enklavës serbe.

BE-ja thuhet aty, duhet të pezullojë projektet financiare që janë të dobishme për Republikën Serbe, dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës, të cilët minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.

Në dokumentin e datës 12 maj 2025, që ka pak më shumë se dy faqe, thuhet se kriza aktuale kushtetuese “përbën sfidën më serioze për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial dhe funksional të Bosnje e Hercegovinës në 30 vjetët e fundit”.

Ekzistenca e këtij dokumenti u bë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku ai tha se dokumenti, që u prezantua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, “vështirëson pozitën e Republikës Sërpska”.

Sipas autorëve, Republika Sërpska ka ndërmarrë disa veprime dhe procese ligjore që minojnë rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, sidomos pas dënimit të presidentit të këtij entiteti, Millorad Dodik, më 26 shkurt, nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Qëllimi i menjëhershëm i dokumentit është “shfuqizimi i ligjeve jokushtetuese dhe tërheqja e draftit të ri kushtetues”.

Sipas autorëve, masat që duhet të ndërmerren përfshijnë: kufizimin e mbështetjes financiare për Republikën Sërpska, vendosjen e sanksioneve të synuara, ngadalësimin e procesit të anëtarësimit në BE, dhe ndërprerjen e kontakteve me zyrtarët e këtij entiteti.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta