
Një person është ndjekur nga policia e Tiranës mëngjesin e kësaj të premteje, pasi ka rrezikuar jetën e efektivëve.
42-vjeçari tentoi t’i ikte policisë pasi në ambientet e QSUT kishte qëlluar me pistoletë lodër një mjeke.
Teksa ai i ikte forcave të rendit, ka përplasur tre automjete të policisë, duke shkaktuar panik në kryeqytet.
Pas një përpjekjeje të gjatë, uniformat blu arritën të neutralizojnë drejtuesin e mjetit dhe ta vendosin në pranga.
Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
“Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari.
Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari.
Rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre.
Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit”-njofton policia.
Top Channel