
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar akuza të ashpra ndaj liderëve perëndimorë, përfshirë kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin kanadez Mark Carney.
Në një video të publikuar në rrjetin social X, Netanyahu tha se këta liderë “kanë thënë në mënyrë të tërthortë se duan që Hamasi të mbetet në pushtet”.
Ai i akuzoi ata se po qëndrojnë në anën e “vrasësve masivë, përdhunuesve, vrasësve të foshnjave dhe rrëmbyesve”, duke iu referuar Hamasit, grupit që Izraeli e konsideron organizatë terroriste.
Netanyahu i bëri këto komente në reagim ndaj një sulmi ndaj stafit të ambasadës izraelite në Uashington, duke shfrytëzuar rastin për të kritikuar qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj konfliktit në Gaza.
Tensionet janë rritur pas deklaratave të përbashkëta të Britanisë, Francës dhe Kanadasë të hënën, të cilat dënuan operacionin ushtarak të zgjeruar të Izraelit në Gaza dhe ndalimin e ndihmave humanitare për civilët palestinezë. Këto vende paralajmëruan pasoja konkrete nëse Izraeli nuk e ndalon ofensivën dhe nuk lehtëson hyrjen e ndihmës.
Nga ana tjetër, Netanyahu theksoi se Hamasi synon “shkatërrimin e Izraelit dhe zhdukjen e popullit hebre”. “Kurrë nuk e kam kuptuar se si kjo e vërtetë e thjeshtë mund t’u shpëtojë liderëve të Francës, Britanisë dhe Kanadasë”-tha ai.
“Jeni në anën e gabuar të njerëzimit. Jeni në anën e gabuar të historisë.”
Ndërkohë, zyra e kryeministrit britanik refuzoi të komentojë direkt mbi deklaratat e Netanyahut, por kujtoi se Sir Keir ka dënuar hapur sulmin ndaj ambasadës izraelite dhe ka folur kundër antisemitizmit, duke e cilësuar si “një e keqe që duhet zhdukur”.
Më herët, kryeministri britanik e ka përshkruar situatën në Gaza si “të patolerueshme” dhe ka kritikuar vendimin e Izraelit për të lejuar vetëm një sasi minimale ndihmash për civilët palestinezë, duke e quajtur atë “krejtësisht të pamjaftueshme”.
Ky përplasje e re diplomatike vjen në një moment kur presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit po rritet për shkak të krizës humanitare që po thellohet në Gaza, si dhe për shkak të shqetësimeve në rritje për shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar në këtë konflikt.
Top Channel