
Parlamenti i Danimarkës miratoi një ligj të ri që parashikon rritjen graduale të moshës së daljes në pension, duke e vendosur atë në 70 vjeç deri në vitin 2040.
Ky është niveli më i lartë në Europë dhe ka shkaktuar debate e protesta, veçanërisht nga punëtorët me profesione fizike që ndjehen të pafavorshëm ndaj këtij ndryshimi.
Ky ndryshim vjen si pjesë e një sistemi të vendosur në vitin 2006, ku mosha e pensionit lidhet automatikisht me pritshmërinë e jetës dhe rishikohet çdo pesë vjet. Aktualisht, mosha e pensionit në Danimarkë është 67 vjeç, do të rritet në 68 në vitin 2030 dhe në 69 në 2035.
Ligji i ri u miratua të enjten me 81 vota pro dhe 21 kundër, mes protestave të sindikatave dhe kritikave nga punonjësit me profesione fizike. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e kishte vënë më herët në pikëpyetje rritjen automatike të moshës së pensionit, duke deklaruar se “nuk mund të kërkohet gjithmonë që njerëzit të punojnë më gjatë”.
Kryetari i një konfederate sindikaliste, Jesper Ettrup Rasmussen, deklaroi se “Danimarka ka një ekonomi të shëndetshme dhe megjithatë ka moshën më të lartë të pensionit në BE”, duke shtuar se kjo rrezikon të mohojë të drejtën për “një pleqëri dinjitoze”.
Në të gjithë Europën, shumë vende po rrisin gradualisht moshën e pensionit për të reflektuar rritjen e jetëgjatësisë dhe për të lehtësuar presionin mbi buxhetet publike. Në Francë, rritja e fundit nga 62 në 64 vjeç shkaktoi protesta masive, ndërsa në Britaninë e Madhe dhe Suedi mosha e pensionit gjithashtu po rritet me kalimin e kohës.
Top Channel