
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e cilësoi model administrimin e procesit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, teksa tha se nuk ka asnjë të dhënë për fletë votimi të shtuara apo të trafikuara në 11 maj.
Ai tha se e vetmja gjë që mbetet për t’u vlerësuar lidhet me pretendimet për votën e emigrantëve.
“Administrimi i këtij procesi nga KQZ është model. Duke thënë këtë, nuk dekurajoj askënd dhe respektoj të drejtën e gjithkujt për të kontestuar dhe për të prezantuar çfarë mbështet pretendimet e subjektit. Kemi të gjithë dokumentacionin që konfirmon atë që thamë, ky proces është zhvilluar model. Jap garanci që standardi e integriteti është i plotë. Jemi të gatshëm t’i japim përgjigje çdo lloj pyetjeje.
Nuk ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara. Mbetet të vlerësojmë pretendimet që lidhen me sa është respektuar integriteti i votës së qytetarëve në procesin e marrjes të zarfeve dhe kthimit të tyre përmes kthimit postar”.
Top Channel