
Brigada e 45-të e Gjermanisë u vu zyrtarisht në shërbim më 22 maj gjatë një ceremonie të mbajtur në Vilnius të Lituanisë, ku do të jetë e stacionuar përgjithmonë.
Kjo është vendosja e parë e përhershme e forcave ushtarake gjermane jashtë kufijve të vendit që nga Lufta e Dytë Botërore. Një ngjarje që, përveçse një moment historik, është, sipas disave, edhe një ogur veçanërisht shqetësues për të ardhmen e afërt.
Gatishmëri e plotë operacionale deri në vitin 2027
Brigada e 45-të është brigada e tetë e blinduar e Bundeswehr-it dhe pritet të arrijë forcën e plotë në vitin 2027. Ushtarët e parë, përgjegjës për planifikimin e zhvendosjes, mbërritën në Lituani në prill 2024. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Lituaneze, selia e brigadës arriti aftësi të plotë operacionale më 1 prill 2025.
Aktualisht, 500 ushtarakë gjermanë ndodhen tashmë në tokën lituaneze. I gjithë personeli, ushtarak dhe civil, si dhe pajisjet e nevojshme ushtarake, pritet të transferohen dhe instalohen plotësisht deri në vitin 2027 .
Parada gjermane në Riga
Kancelari gjerman Friedrich Merz udhëtoi për në kryeqytetin lituanez për të marrë pjesë në ceremoni, e cila përfshinte një paradë prej 600 ushtarësh gjermanë në sheshin kryesor të Katedrales, një shfaqje të pajisjeve ushtarake dhe një koncert të përbashkët nga bandat ushtarake të të dy vendeve.
Merz u prit nga Ministri i Jashtëm lituanez Kestutis Budris dhe më pas zhvilloi bisedime me Presidentin e vendit në pallatin presidencial.
Shqetësim në vendet skandinave
Ndërkohë, Lituania nuk është i vetmi vend i shqetësuar për qëndrimin gjithnjë e më të vendosur të Rusisë. Finlanda tha se pret që Rusia të rrisë më tej forcat e saj përgjatë kufirit të përbashkët kur të përfundojë lufta në Ukrainë, pas raportimeve se Moska ka forcuar bazat e saj ushtarake pranë kufijve të NATO-s.
Gjenerali Sami Nurmi, shefi i strategjisë për Forcat Mbrojtëse Finlandeze, tha se ushtria po i ndiqte manovrat e Moskës “nga afër” dhe se ishte detyra e tyre, si pjesë e aleancës së NATO-s, të “përgatiteshin për më të keqen”.
Top Channel