
Një nismë ambicioze e Bundeswehr-it (Ushtria gjermane) po merr formë: Dislokimi i rretth 5000 ushtareve dhe ushtarëve gjermanë në Lituani.
Më 1 prill në kryeqytetin Vilna u vu zyrtarisht në shërbim brigada e re e tankeve 45. Kjo brigadë përbën thelbin e njësisë luftarake, me të cilën Gjermania me kërkesë të Lituanisë do të sigurojë krahun lindor të NATO-s – një reagim ndaj luftës sulmuese ruse kundër Ukrainës.
Ushtria gjermanederi më sot përbëhej nga tetë brigada, por tani iu shtua edhe e nënta e vendosur në Lituani. Kjo brigadë do të qëndrojë përherë atje, një risi në historinë e Bundeswehr-it. Stema e re e brigadës së tankeve 45, që do të mbajnë në uniformat e tyre ushtaret dhe ushtarët gjermanë, përmban në shenjë të lidhjes mes dy vendeve edhe simbolin e Vilnës kullën Gedimina.
“Gjermania do të jetë e gatshme të mbrojë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s“, theksoi ministri i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius në fjalimin e tij të parë në Bundestag pas ndryshimit të qeverisë. Vendosja e brigadës gjermane në Lituani është “një sinjal i fuqishëm ndaj partnerëve tanë dhe një sinjal i qartë ndaj secilit kundërshtar të mundshëm”.
Lituania me tre milionë banorë ndodhet midis enklavës ruse të Kaliningradit dhe aleates ruse Bjellorusisë, me të cilën ndan një kufi prej 680 kilometrash. Ndërkohë Lituania po punon për formimin e një trupe tankesh të aftë për veprim, për të cilën ka porositur 44 tanke moderne luftarake të tipit Leopard 2 A8 të prodhimit gjerman. Të njëjtin tip tanku do të përdorë edhe Bundewehr-i në Lituani, gjë që do ta lehtësojë bashkëpunimin e dy ushtrive.
Që nga vera 2023 ministri Pistorius po çon përpara formësimin e brigadës. Deri tani në bazën e dislokimit janë shtabi i brigadës si dhe njësitë e para të ndihmës. Deri në fund të vitit do të jenë vendosur gjithsej 500 ushtaret dhe ushtarët gjerman.
Ndërkohë vazhdon puna për ndërtimin e infrastrukturës. Në sheshin e stërvitjes së trupës Rudninkai, baza qendrore e brigadës, po ndërtohen kazermat, rrugë të reja dhe po zgjatet një segment hekurudhor. Kjo zonë ndodhet në juglindje të Lituanisë, rreth 30 km nga kufiri me Bjellorusinë. Në qytetet Vilna dhe Kaunas po krijohen shkolla e kopshte për familjet e ushtarakëve nga Gjermania.
Dislokimi i brigadës në tërësi do të përfundojë deri në fund të vitit 2027, e kjo për të dy vendet është jo vetëm një sfidë logjistike, por edhe financiare. Lituania e ka rritur buxhetin e saj për mbrojtjen. Edhe qeveria e re e Gjermanisë nën kancelarin kristiandemokrat Friedrich Merz nuk do të kursejë në shpenzimet për mbrojtjen.
Shtrohet pyetja për personelin, që faktikisht i mungon Bundeswehr-it. Kërkimi i gjithsej 4800 ushtareve dhe ushtarëve si dhe i 200 të punësuarve civilë, që vullnetarisht transferohen për disa vite në Lituani, mund të jetë një sipërmarrje e vështirë.
Ministri Mbrojtjes për këtë ka bërë parapërgatitje: Për ta bërë sa më tërheqës shërbimin në krahun lindor të NATO-s dhe për Bundeswehr-in në përgjithësi, ai u angazhua për një ligj, që u miratua në fillim të vitit në Bundestag. I ashtuquajturi “Neni ligjor pikë-kthesë” parashikon suplement të lartë rroge dhe kushte më të mira për angazhimet në shërbimet në vend dhe jashtë vendit.
Top Channel