
Një dhuratë e pazakontë ka shkaktuar debat në qarqet politike amerikane: Shtetet e Bashkuara kanë pranuar një aeroplan Boeing 747 nga Katari, një veprim që ka ngjallur reagime të forta – madje edhe nga mbështetës të Presidentit Donald Trump.
Lajmin e konfirmoi Pentagoni, ku zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se “Sekretari i Mbrojtjes ka pranuar një Boeing 747 nga Katari në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret federale.”
Sipas deklaratës, aeroplani do të modifikohet përpara se të bëhet pjesë e flotës presidenciale Air Force One, që përdoret për transportin ajror zyrtar të presidentit amerikan.
Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se dhurata është e ligjshme dhe në përputhje me ligjin federal, njoftimi për transferimin – i bërë publik një javë më parë – ka shkaktuar kritika të shumta, sidomos mbi çështjen e transparencës dhe marrëdhënieve strategjike me Katarin.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme për administratën amerikane, ku çdo lëvizje që përfshin interesat e jashtme dhe marrëveshjet ndërkombëtare po vëzhgohet me vëmendje të madhe nga opinioni publik dhe ligjvënësit.
Top Channel