Papa “i lutet” Izraelit: Lejoni ndihmat në Gaza, çmimin shkatërrues po e paguajnë fëmijët!

21/05/2025 14:21

Duke e përshkruar gjendjen në Gaza si “thellësisht tronditëse”, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e shkatërruar nga lufta.

“Përsëris thirrjen time të zjarrtë për të lejuar hyrjen e ndihmës së drejtë humanitare dhe për t’i dhënë fund këtyre armiqësive, çmimin shkatërrues të të cilave po e paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”-u shpreh Papa.

Që prej nisjes së Papatit të tij, Leoni i zgjedhur në 8 maj për të pasuar në krye të Kishës Katolike Papa Françesku – e ka përmendur disa herë deri më tani konfliktin në Gaza. Lutjen e re, ai e bëri në fund të fjalimit para audiencës, duke shtuar disa fjalë përtej tekstit të përgatitur.

Ati i Shenjtë insistoi për armëpushim të menjëhershëm në territor dhe për lirimin e të gjithë pengjeve izraelite që po mbahen nga grupi militant Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Të hënën, Izraeli njoftoi se do ta lejojë hyrjen e ndihmave në Gazë pas një bllokade 11-javore ndaj enklavës, megjithatë Kombet e Bashkuara thanë se deri të martën nuk është shpërndarë asnjë ndihmë. Shteti hebre justifikohet me pretendimin se bllokada ka për qëllim, veç të tjerash, të mos i lejojë militantëve palestinezë devijimin dhe konfiskimin e ndihmave humanitare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta