Milani gati për një epokë të re, zbulohen tre emrat e parë që Igli Tare kërkon të afrojë te kuqezinjtë

21/05/2025 16:34

Rruga duket thuajse e qartë: përveç ndonjë kthese të papritur, Igli Tare pritet të emërohet si drejtori i ri sportiv i Milanit.

Ndërsa pritet njoftimi zyrtar nga klubi kuqezi, manovrat e para në tregun e transferimeve kanë nisur tashmë, në kuadër të një sezoni që synon të jetë ai i rilindjes për klubin italian.

Aktualisht nuk flitet ende për negociata konkrete, por për një listë prioritetesh që do të formësohet në varësi të hyrje-daljeve nga skuadra. Sipas La Gazzetta dello Sport, Tare ka rënë dakord me drejtorin ekzekutiv Giorgio Furlani për ndërtimin e një Milani më italian, të bazuar në lojtarë që njohin mirë ambientin e Serie A.

Në pankinë, objektivi kryesor mbetet trajneri Vincenzo Italiano, me drejtuesit e klubit që synojnë t’i ofrojnë atij një skuadër të përshtatur për futbollin e tij intensiv, fizik dhe agresiv.

Në listën e parë të emrave të ndjekur nga Tare janë Dan Ndoye – shumë i pëlqyer edhe nga Juventus – dhe Jens Odgaard, të dy me një sezon pozitiv në Serie A. Po ashtu, për shkak të largimeve të mundshme të emrave si Tomori apo Thiaw, pritet të ketë lëvizje edhe në mbrojtje. Emra si Mario Gila (Lazio), Comuzzo, Leoni dhe Coppola janë pjesë e diskutimeve.

Nëse Theo Hernandez largohet, Milani mund të tentojë transferimin e Destiny Udogie nga Tottenham, i cili pavarësisht një sezoni të vakët, mbetet pjesë e planeve të kombëtares italiane.

Në repartin e sulmit, qëndrueshmëria e Tammy Abraham është ende në dyshim, ndaj alternativa e parë si zëvendësues mund të jetë Lorenzo Lucca, me Santi Gimenez si titullar i mundshëm.

Një tjetër emër që po përmendet është ai i Sergej Milinković-Savić, lojtari që Tare e solli te Lazio dhe që mund të synohet për rikthim në Serie A. Pengesa kryesore për këtë transferim mbetet paga e lartë që serbi përfiton te Al-Hilal, por profili i tij mbetet shumë tërheqës për kuqezinjtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta