
Ministrja e Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar, Jenny Chapman tha për BBC-në se Izraeli po “përdor urinë si armë lufte” në Gaza.
Duke folur me korrespondenten e BBC-së për Lindjen e Mesme, Lucy Williamson, në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar, Chapman tha se Izraeli “po ndalonte ushqimin me qëllim që t’i detyronte njerëzit të shpërnguleshin”.
“Kjo nuk është diçka që Mbretëria e Bashkuar, ose ndonjë nga qeveritë tona partnere, mund të qëndrojë duarkryq dhe ta lejojë të ndodhë”, tha ajo.
Chapman tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte një “mesazh shumë të qartë për Izraelin: ata nuk duhet ta bëjnë këtë”.
“Izraeli ka pasur çdo të drejtë të mbrohet. Ka çdo të drejtë t’i marrë pengjet mbrapsht. Ka çdo të drejtë të reagojë ndaj asaj që ndodhi, e cila ishte e neveritshme, më 7 tetor.”
“Ne kemi qenë të qartë për këtë që nga fillimi, ne e kemi mbështetur Izraelin gjatë gjithë kohës. Kjo është e tepërt. Kjo po dëmton pengjet. Kjo po zvogëlon mundësinë e nxjerrjes së këtyre pengjeve të gjallë”, tha ajo.
Chapman tha se nëse Izraeli donte të kthente pengjet, “ata duhet të negociojnë dhe duhet të arrijnë një armëpushim dhe një zgjidhje”.
Komentet erdhën pasi Mbretëria e Bashkuar pezulloi bisedimet për një marrëveshje tregtare me Izraelin, thirri ambasadorin e vendit dhe vendosi sanksione të reja ndaj kolonëve të Bregut Perëndimor, ndërsa Sekretari i Jashtëm David Lammy e quajti përshkallëzimin ushtarak në Gaza “moralisht të pajustifikueshëm”.
Top Channel