Venezuela pezullon fluturimet nga Kolumbia, Maduro akuza mafies shqiptare: 38 mercenarë të tyre do vinin bomba ditën e zgjedhjeve

20/05/2025 17:00

Karakasi ka pezulluar të gjitha fluturimet nga Kolumbia fqinje, duke denoncuar mbërritjen e të ashtuquajturve “mercenarë” që, sipas autoriteteve venezuelane, synojnë të sabotojnë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe provinciale të së dielës.

Qeveria e Venezuelës shpesh bën akuza për komplote për rrëzimin e Presidentit Nicolás Maduro – akuza që ndonjëherë janë provuar të jenë të bazuara në fakte. Kësaj here, autoritetet thonë se kanë zbuluar një komplot tjetër dhe janë të vendosur ta çmontojnë dhe ta mposhtin.

Maduro hodhi akuza ndaj mafias shqiptare kur tha se e kanë pasur plan për të sabotuar zgjedhjet rajonale dhe legjislative të dielën e ardhshme në vendin e Karaibeve.

“Mafia shqiptare, që sundon Ekuadorin, dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Mafia shqiptare është kapur, i kemi, u janë sekuestruar tre telefona dhe po flasin”, tha ai.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, akuzoi edhe figurën kryesore të opozitës, María Corina Machado, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të bojkotojnë zgjedhjet, dhe se është e lidhur me grupin e “mercenarëve”.

“Kemi dhënë urdhër për pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve nga Kolumbia drejt Venezuelës,” tha Cabello në një konferencë për shtyp, duke shtuar se nga 38 të arrestuarit, 17 janë shtetas të huaj.

Sipas tij, mercenarët kishin hyrë fillimisht nga Kolumbia, por më pas verifikimet treguan se disa prej tyre kishin ardhur nga vende të tjera. Sipas autoriteteve, ata planifikonin të sulmonin “ambasadat, spitalet dhe shtabin e policisë.” Gjithashtu, është aktivizuar edhe “plani tuk-tuk”, që përfshin hetime policore derë më derë në zonat e dyshuara.

Një operacion i ngjashëm u zhvillua edhe pas rizgjedhjes së Presidentit Maduro në korrik, zgjedhje që u kundërshtuan nga opozita dhe u shoqëruan me trazira, duke rezultuar në 28 viktima dhe rreth 2,400 arrestime. Më pas, afro 1,900 persona u liruan. Organizata joqeveritare Foro Penal njofton se në vend kanë mbetur ende 895 “të burgosur politikë”.

Pezullimi i Fluturimeve dhe Reagimi i Kolumbisë

Ministria e Jashtme kolumbiane informoi agjencinë AFP se ka aktivizuar “kanalet diplomatike” për të kuptuar situatën. “Nuk ishim të informuar dhe nuk kemi detaje rreth akuzave të ministrit venezuelan,” deklaroi zëdhënësi i saj.

Në aeroportin ndërkombëtar të Bogotás, vendimi për pezullimin e fluturimeve u bë i ditur pak para nisjes së një fluturimi të kompanisë LATAM për në Karakas. Pasagjerët kishin hipur tashmë në bord kur u informuan për anulimin e fluturimit.

Z. Cabello nuk dha detaje për kohëzgjatjen e pezullimit, por sipas sistemit ndërkombëtar të informacionit për aviacionin (NOTAM), masa do të mbetet në fuqi deri të hënën e ardhshme – një ditë pas zhvillimit të votimeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta