
Parlamenti Suedez, Riksdag ka miratuar legjislacionin që ndalon blerjen e shërbimeve seksuale të personalizuara në Onlyfans.
Ligji do të hyjë në fuqi më 1 korrik dhe synon të mbushë një boshllëk ligjor në format dixhitale të shfrytëzimit seksual.
Sipas kuadrit të ri, pagesa për materiale të pararegjistruara, siç janë videot është ende e lejuar për sa kohë që blerësi nuk ka ndikuar në përmbajtje. Megjithatë, tani është e paligjshme të paguash dikë për të kryer akte seksuale në video ose nëpërmjet kamerës me qëllim dërgimin e materialit te “klienti”.
Cilat aktivitete janë të ndaluara?
Kjo është ndoshta pjesa më “komerciale” e platformës OnlyFans, “krijuesit e përmbajtjes” së së cilës paguhen për të bërë gjëra specifike nga “mbështetësit” e tyre… ose për të bërë transmetime të drejtpërdrejta, ku ata pranojnë para për të kryer veprime specifike.
Ligji gjithashtu kriminalizon çdo formë të promovimit ose shfrytëzimit ekonomik të njerëzve që ofrojnë shërbime seksuale nga distanca. Kjo përfshin ndërmjetësimin, prodhimin e përmbajtjes ose ofrimin e platformave me qëllim përfitimin nga shërbime të tilla. Shkurt, ai ndalon platforma si OnlyFans.
Reagimet nga industria
Platforma dixhitale e pornografisë OnlyFans reagoi fort përpara se ligji të miratohej, duke pretenduar se ai kontribuonte ndjeshëm në ekonomi, duke përfshirë edhe pagesën e rreth 12 milionë dollarëve në vit në taksa. Megjithatë, qeveria suedeze këmbënguli në zbatimin e masës, duke theksuar nevojën për t’u mbrojtur nga komercializimi i dinjitetit njerëzor në internet.
Top Channel