
Nis zyrtarisht më 25 maj, stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 25”, e drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), një nga stërvitjet ushtarake më të mëdha dhe më komplekse në dekadat e fundit në Evropë dhe Afrikë.
Kjo stërvitje, e cila do të nisë nga Shqipëria do të zgjasë deri më 9 qershor. Ajo synon të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të koordinuar ndërmjet forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere.
“Defender Europe 25” përfshin një sërë aktivitetesh luftarake të shkallës së gjerë, që shtrihen në disa vende të Evropës dhe është ndërtuar sipas skenarit të Nenit 5 të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve. Skenari stërvitor do të përfshijë trajnimet për mbrojtjen e objekteve të rëndësishme, sigurimin e pikave të imbarkimit, si dhe operacione mësymëse dhe mbrojtëse në rajone strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës. Një nga objektivat kryesore të stërvitjes është demonstrimi i aftësisë për të dislokuar me shpejtësi trupa dhe pajisje nga Amerika e Veriut drejt Evropës, në një mjedis të ndërlikuar operativ.
“Defender Evropë 25” do të demonstrojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në NATO-s, si dhe një mundësi për të treguar gatishmërinë e Forcave tona të Armatosura për të shërbyer në krah të partnerëve tanë strategjikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë.
Kjo stërvitje përfaqëson një mesazh të qartë ndaj çdo kundërshtari të mundshëm: NATO është e bashkuar, e përgatitur dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Në të njëjtën kohë, ajo synon të sigurojë opinionin publik në vendet aleate se përkushtimi i SHBA-së dhe NATO-s për sigurinë euroatlantike mbetet i palëkundur.
Top Channel