
Elon Musk, personi më i pasur në botë dhe një financues i madh i fushatës së Donald Trump për vitin 2024, ka thënë se synon të kufizojë ndjeshëm donacionet e tij politike në të ardhmen.
Duke folur nëpërmjet videokonferencës në Forumin Ekonomik të Katarit, Musk e bëri të qartë: “Sa i përket shpenzimeve politike, do të bëj shumë më pak në të ardhmen. Mendoj se kam bërë mjaftueshëm.”
Edhe pse e la të hapur mundësinë e kthimit nëse ka një arsye, ai e bëri të qartë se aktualisht nuk e sheh një motiv të tillë. I pyetur nëse vendimi i tij lidhej me kritikat për mbështetjen e tij për administratën Trump, ai u përgjigj: “Nëse ka një arsye për të shpenzuar përsëri për politikë, do ta bëj. Por tani për tani nuk shoh asnjë.”
290 milionë dollarë për Trump dhe Republikanët
Musk ishte donatori më i madh politik në SHBA për vitin 2024, me mbi 290 milionë dollarë shpenzime. Pjesa më e madhe e kësaj shume shkoi në një komitet politik (PAC) pro-Trump që ai themeloi.
Sipas bashkëpunëtorëve të Trump, Musk kishte premtuar edhe 100 milionë dollarë të tjerë për zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026. Në të njëjtën kohë, së bashku me një organizatë aleate, ai kishte shpenzuar rreth 25 milionë dollarë në një zgjedhje vendimtare për Gjykatën Supreme të Wisconsin, duke mbështetur një kandidat konservator i cili në fund u mund në të gjithë shtetin.
Kthim në perandorinë e tij të biznesit
Deklaratat e tij të fundit tregojnë një zhvendosje të fokusit të tij nga politika në biznes. Pas një rënieje të ndjeshme të fitimeve në Tesla, Musk u kishte thënë më parë analistëve të Ëall Street se do të kalonte më pak kohë në Uashington dhe më shumë me kompanitë e tij.
Pavarësisht njoftimit të tij për distancim nga politika, ai konfirmoi se do të jetë në Uashington të mërkurën dhe të enjten, me një darkë të planifikuar me Donald Trump.
Top Channel