
Diaspora votoi e para, por u numërua e fundit. Në Parkun Olimpik të Tiranës, të shndërruar në një KZAZ gjigande, qarku Elbasan ishte ai që përmbylli sagën e leximit të votës nga jashtë.
Socialistët thelluan fitoren falë diasporës, pasi shifrat tregojnë se në çdo tre emigrantë, dy votuan për Partinë Socialiste. Por demokratët nuk kanë humbur shpresat dhe po bëhen gati për betejën e gjatë ligjore, me qëllim rrëzimin e rezultatit.
Pas nëntë ditësh, numërimi u mbyll. Por cili ishte ndikimi i votës së diasporës, e cila votoi për herë të parë? Emigrantët ishin përcaktues vetëm për mandatin e 9-të të socialistëve në qarkun e Vlorës, ndërsa peshën më të madhe e kishin në garën brenda llojit të kandidatëve për një ulëse në Kuvend.
Në Vlorë, Vasil Llajo ia doli të siguronte mandatin falë votave të diasporës, duke i ndërprerë ëndrrën për t’u bërë deputet Klevis Kaso. Surprizë diaspora prodhoi edhe në qarkun e Lezhës, ku Admir Kadeli spostoi për një grusht votash Marjeta Nelin.
Fushëbeteja më e fortë e diasporës ishte në qarkun e Tiranës, ku vota e emigrantëve i ndërpreu rrugëtimin parlamentar Blerina Gjylametit, e cila u mund nga Olta Xhaçka. Emigrantët ndihmuan edhe Ornaldo Rakipin të rinovonte kontratën me Parlamentin, duke i mbyllur derën Xhemal Qefalisë. Të njëjtin fat pati edhe Zegjine Çaushi, deputete e ardhshme në Kuvend, falë mbështetjes edhe nga diaspora.
Pesha e diasporës u pa edhe në radhët e kandidatëve të Partisë Demokratike, pasi në Kukës, Isuf Cela spostoi Shkëlqim Shehun, i cili ishte fitues me votimin brenda vendit, por diaspora përmbysi rezultatin.
Top Channel