
Shëtitorja bregdetare e Durrësit mbushet çdo ditë me turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët përzihen natyrshëm me vendasit, duke shijuar klimën, detin dhe ritmin e qetë të qytetit bregdetar.
Një thesar ende i pazbuluar, Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i ri dhe i sigurt në Evropë për pushime.
“Jam nga Gjermania. 4 ditë qëndrova në Tiranë dhe sot mora autobusin për në Durrës. Shqipëria është destinacioni më i ri për pushime në Europë dhe brenda 5 vitesh do të ketë shumë fluks turistësh. Edhe unë do të vij sërish me familjen.”
“Vijmë nga Zelanda e Re. Disa miq ishin këtu pak muaj më parë dhe na thanë që vendi është i bukur dhe lirë… dhe erdhëm!”
“Fantastike. Jam e surprizuar. Nuk e prisja kaq mirë.”
“Jemi nga Gjermania. Na pëlqeu Torra, qyteti dhe kafenetë e mira. Edhe kjo shëtitore.”
E ndërsa interesi për vendin tonë po rritet çdo sezon, Durrësi mbetet një nga pikat më të vizituara, jo vetëm për pozicionin gjeografik, por edhe për ofertën turistike dhe shërbimin cilësor që ofron përgjatë bregdetit të Adriatikut.
Në zemër të Mesdheut, me një histori mijëravjeçare dhe një vijë bregdetare që të fton ta zbulosh pa u shpejtuar, Durrësi po fiton gjithnjë e më shumë vend në listat e udhëtarëve nga çdo kontinent. Dhe çdo ditë që kalon, qyteti bregdetar dhe periferia kodrinore e tij u ofron turistëve një arsye më shumë për t’u rikthyer.
Top Channel