
“Kanceri na prek të gjithëve”, shkroi ish-presidenti Joe Biden në një reagim publik, pasi zyra e tij njoftoi një ditë më parë sëmundjen me të cilën po përballet.
Ai shtoi se ai dhe gruaja, ish-zonja e parë Jill Biden, “kanë mësuar se jemi më të fortë në vendet e thyera. Faleminderit që na ngritët lart me dashuri dhe mbështetje”.
Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, është diagnostikuar me një formë “agresive” të kancerit të prostatës, që tashmë ka avancuar e është përhapur në kocka. Në deklaratën e zyrës së tij theksohet se ish shefi democrat i Shtëpisë së Bardhë dhe familja po shqyrtojnë së bashku me mjekët mundësitë e trajtimit të tij.
Diagnostikimi i Bidenit, që zyrën Ovale e dorëzoi në muajin janar, u bë këtë të premte, pasi ish kreu i shtetit kishte shfaqur simptoma urinare, nënvizohet në deklaratë, ku sqarohet sidoqoftë se “pavarësisht faktit që bëhet fjalë për një formë agresive të sëmundjes, kanceri duket të jetë i ndjeshëm ndaj terapisë hormonale, ç’ka mundëson një menaxhim efektiv”.
Pas publikimit të lajmit të diagnozës së tij të rëndë, Biden mori mbështetje s inga anëtarët e partisë së tij, ashtu dhe nga kundërshtarët, përfshirë vetë rivalin e madh, Trumpin, i cili shkroi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se ai dhe Zonja e Parë Melania Trump “u pikëlluan kur dëgjuan për diagnozën mjekësore të Joe Biden”. “Mendimet tona shkojnë për Jill dhe familjen,” tha ai, duke iu referuar ish-Zonjës së Parë Jill Biden. “I urojmë Joe-it një shërim të shpejtë dhe të suksesshëm”.
Mandati i Bidenit si president përfundoi më 20 janar, kur Donald Trump u betua si president i SHBA-së. Djali i madh i Bidenit, Beau, ndërroi jetë në vitin 2015 në moshën 46 vjecare nga kanceri i trurit.
Top Channel