KQZ certifikon votën e diasporës/ Akuzat e PD për patronazhim, Celibashi: Administrim korrekt, nuk u cenua integriteti

19/05/2025 19:20

A është manipuluar vota e diasporës përmes patronazhimit? Komisioneri Ilirjan Celibashi i dha përgjigje shqetësimit të demokratëve të cilët nuk e fshehin habinë sesi nga kutitë e diasporës se Greqisë u prodhua një mbështetje 95% për Partinë Socialiste.

“Ato janë mbushur në mënyrë rastësore nga stafi i KQZ, nuk i përkasin një zone zgjedhore të caktuar”-u shpreh Celibashi.

Demokratët shpresojnë që përmes parregullsive që kanë konstatuar në votimin dhe numërimin nga jashtë të shpallin rezultatin e zgjedhjeve si të pavlefshëm. Por kreu i KQZ është i bindur për integretin e procesit.

“Nëse verifikohen shkeljet e ligjit dhe ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Por, ajo qe  mund të them, nuk jap gjykimin mbi vlefshmërine apo  jo, por me siguri të plotë them që çfarë ka administruar e përgatitur KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë për atë kompetencë të KQZ. Ngelet diskutimi sesi votuesit nga jashtë kanë votuar por në momentin që secili ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës dhe ky ka mbërritur në KQZ asgjë nuk e ka cenuar integritetin e këtij dokumentacioni zgjedhor”.

Kandidatët të cilët pretendojnë se janë vjedhur gjatë numërimit edhe nga brenda familjes politike, kanë të drejtë të kenë në dorë pamjet filmike.

“Nëse një kandidat nuk i siguron dot për arsye të ndryshme nëpërmjet partisë këto pamje, KQZ ua vë në dispozicion çdo kandidati.”

8 ditë nga data e zgjedhjeve u mësua numri i sakte i fletëve të votimit te ardhura nga diaspora, ku nga numri final janë shtuar 3076 fletë.

“201795 numri i fletëve të vlerësuara nga KQZ prej të cilave 199824 janë fletë votimi të vlefshme, të tjerat të pavlefshme. 353 zarfe kanë ardhur në Shqipëri jo përmes DHL, 6 dorazi në KQZ që janë mbajtur në protokoll dhe nuk janë administruar.”

Qarku  Kukës është i pari që mbylli numërimin si për partitë ashtu dhe për kandidatët preferencial. Edhe pse  demokratët fituan 2 nga 3 mandate, përfaqësuesit ligjor të partisë demokratike refuzuan certifikimin e rezultatit deri në momentin që të bëhej një audit i plotë i zgjedhjeve, por Komisioneri Celibashi miratoi tabelën përmbledhëse.

Top Channel