
Kina ka filluar të ndërtuar një superkompjuter të avancuar të inteligjencës artificiale në hapësirë, që do të përbëhet nga një rrjet prej 2,800 satelitësh në orbitën e Tokës.
Sipas raporteve të Space News, ADA Space, një kompani me seli në Chengdu, ka dërguar 12 satelitët e parë të këtij rrjeti gjigant në hapësirë javën e kaluar.
Këta satelitë janë të aftë të përpunojnë të dhënat në nivel lokal, duke i ruajtur dhe llogaritur ato direkt në satelit, pa i dërguar në stacionet tokësore, siç ndodh me satelitët tradicionalë. Ky proces ndihmon në evitimin e humbjeve të të dhënave që mund të ndodhin gjatë transmetimit në Tokë, një problem që është shpesh shkaktuar nga bandwidth-i i kufizuar dhe mungesa e kapacitetit të stacioneve tokësore, ku vetëm “më pak se 10 përqind” e të dhënave arrijnë në Tokë.
Satelitët e ADA Space janë të pajisur me procesorë super të shpejtë të inteligjencës artificiale dhe mund të komunikojnë me njëri-tjetrin deri në 100 GB për sekondë duke përdorur lazerë, shumë më shpejt se sa satelitët tradicionalë. Ky rrjet satelitor gjithashtu ofron 30 terabajt hapësirë ruajtjeje, që është e mjaftueshme për të ruajtur 20,000 filma HD ose 10 vjet regjistrim të vazhdueshëm video në një hard disk të vetëm.
Përveç qëllimeve të përpunimit të të dhënave, satelitët janë të pajisur edhe me pajisje shkencore për të kapur fenomene të shkurtra kozmike, si shpërthimet e rrezeve gama, përmes një detektori polarizimi të rrezeve X. Ata gjithashtu mund të përdoren për krijimin e të dhënave binjake dixhitale 3D për qëllime të ndryshme, si reagimi ndaj emergjencave, zhvillimi i lojërave dhe turizmit.
Ky projekt është pjesë e iniciativës “Star Compute” të ADA Space dhe kompanisë Zhejiang Lab, me qëllimin për të avancuar teknologjinë e inteligjencës artificiale në hapësirë. Satelitët e parë u lansuan në 14 maj nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Jiuquan në Kinën veriperëndimore, në bordin e raketës Long March 2D.
Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë hapësinore, i cili mund të ketë impakte të mëdha në fushën e kërkimit shkencor dhe përdorimit të të dhënave në kohë reale.
Top Channel