Akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë, GJKKO shtyn me një muaj hetimet për Dogjanin! Deputeti i PD flet për 11 Majin: Duhet përgëzuar Rama për këtë fitore, për…

19/05/2025 11:47

Për të dytën herë, Gjykata e Posaçme për Krimin dhe Korrupsionin e Organizuar ktheu në SPAK për plotësim të hetimeve dosjen ndaj ish-deputetit, Asllan Dogjani.

Pas 3 muajsh kohë të dhëna herën e parë, sot GJKKO i ka dhënë edhe 1 muaj kohë për disa veprime hetimore, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Vendimi u mor pas kërkesës së vetë Dogjanit, me argumentin ‘për të bërë veprime shtesë’.

Ndërkohë, pas seancës, në një deklaratë për mediat, Dogjani komentoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ku akuzoi socialistët për vjedhje të votave. Ai tha se ndonëse nuk arriti të marrë mandatin e deputetin, do të mbrojë të gjithë qytetarët që e votuan në 11 Maj.

“Pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, nuk do dorëzohem asnjëherë, as me këto vjedhje të votave që ka bërë Rama. Edhe Rama po të ishte në këto kushte, nuk do e merrte dot pushtetin. Në çdo QV dhe një muaj rresht kam parë se si ishte organizmi i mirëfilltë i vjedhjes së votave. Duhet përgëzuar Rama për këtë fitore, për mënyrat që ka përdorur Rama. Në 2023 me bandat, në 2017 me daulle. Edhe këtë herë grupet kriminale ishin përballë me ne, intimidimi i votuesve ishte një vjedhje e pakontrolluar. Ramës i doli situata nga kontrolli. Duke menduar se nuk vinte në pushtet, vodhi aq shumë…

Unë kam marrë 7000 e ca vota, pavarësisht se nuk do jem në parlament, do jem deputet i atyre që më kanë votuar. Por, Rama është një dëm shumë i madh për Shqipërinë.

Ka kapur edhe sistemin e drejtësisë. Sot u bë një seancë normale. Erdhi organi i akuzës, gjykata i tha do kryesh edhe këto detyra të tjera dhe do të vish pas një muaji. Unë nuk jam këtu se kam bërë pisllëqe, unë jam këtu se po fole dhe po qe Rama në pushtet, është krim. Por, unë nuk dorëzohem. Veprimet do t’i merrni vesh nga gjykata.

Unë u bëj thirrje qytetarëve të kërkojnë llogari. Nuk është dëm vetëm për ne, është dëm për qytetarët. Mua që më kanë votuar mbi 7000 e ca votues, do të jem zëri i tyre. Nuk do t’i zhgënjej. Do të jem në mbrojtje të tyre. Madje, kur më bëhet presion, jam akoma më i fuqishëm”, tha Dogjani.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta