
Një takim i nivelit të lartë u zhvillua sot në selinë qeveritare italiane, ku kryeministrja Giorgia Meloni priti zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, në një përpjekje për të nisur një dialog të ri mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Takimi u mbajt në një atmosferë zyrtare, nën sfondin e flamurit italian mes atyre amerikanë dhe evropianë, dhe u përshëndet me tapetin ceremonial të kuq. Në përbërje ishte edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndërsa mediat raportojnë se Volodymyr Zelensky mund të jetë gjithashtu i ftuar në Palazzo Chigi.
Meloni e cilësoi këtë si një hap të parë për një kapitull të ri në marrëdhëniet BE-SHBA.
“Ka probleme për t’u kapërcyer, por marrëdhëniet tona janë themelore. Shpresoj që sot të jetë një fillim i ri”, deklaroi ajo gjatë konferencës për shtyp.
Ajo shtoi se roli i Italisë është të ndihmojë në ndërtimin e urave të komunikimit, sidomos në një kohë kur Perëndimi duhet të ruajë unitetin dhe forcën e tij përballë sfidave globale.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, në emër të administratës së Donald Trump, falënderoi Melonin për mikpritjen dhe e përshkroi atë si “një mik të mirë”.
“Evropa është një aleat i rëndësishëm për ne. Po, kemi disa mosmarrëveshje – për shembull në tregti – por kemi edhe shumë pika të përbashkëta. Ky takim, shpresojmë, është fillimi i një negociate të gjatë me përfitime të ndërsjella.”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për rritjen e investimeve evropiane në mbrojtje, duke theksuar se BE do të mobilizojë deri në 800 miliardë euro gjatë katër viteve të ardhshme në këtë drejtim.
“Një Evropë e fortë do të thotë edhe një NATO e fortë”, u shpreh Von der Leyen, duke shtuar se synimi është një marrëveshje e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën.
Takimi shënon një përpjekje serioze për të forcuar lidhjet transatlantike në një moment vendimtar për politikën globale, me pritshmëri që java e ardhshme të jetë vendimtare për zhvillime të mëtejshme në arenën ndërkombëtare.
Top Channel