
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, udhëhoqi delegacionin shqiptar në ceremoninë madhështore të inaugurimit të Papa Leoni XIV në Vatikan.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota, Presidenti Begaj pati edhe një takim të veçantë me Atin e Shenjtë, ku përcolli urimet më të përzemërta në emër të popullit shqiptar dhe theksoi rëndësinë e bashkëjetesës fetare dhe rolit të Kishës Katolike në ruajtjen e paqes dhe dialogut mes kombeve.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës përgëzoi Atin e Shenjtë për misionin e tij në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e urave të dialogut në një botë të mbushur me sfida dhe pasiguri. Presidenti Begaj theksoi se udhëheqja e tij shpirtërore përfaqëson një zë që jep shpresë, dhembshurie dhe unitet ndërmjet njerëzve.
Shqipëria është model i bashkëjetesës fetare, ku toleranca, respekti dhe harmonia midis feve të ndryshme janë vlera të rrënjosura thellë dhe trashëgimi e çmuar ndër breza.
Në këtë ceremoni Presidenti u shoqërua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.
Top Channel