
Partitë e reja të cilat morën përkatësisht “Mundësia “ 2 mandate, Lëvizja Shqipëria Bëhet” 1 mandat, Lëvizja Bashkë 1 mandat kanë pasur të tjera pritshmëri në zgjedhjet e 11 majit e për këtë fajësojnë sistemin elektoral që sipas tyre i ka penalizuar.
“Sistemi elektoral u dëshmua para të gjithëve si i padrejtë. PS nxori 1 mandat me afro 10 mije vota ndërsa koalicioni ynë me afro 63 mijë vota”, është shprehur Adriatik Lapaj.
“Pavarësisht një sistemi të ngritur për të mos lënë askënd të ri të ngjitet, pavarësisht propagandës, pushtetit dhe estabilshmentit, dy mandate mbi 50 mijë vota pa pazare, pa më jep të të jap”, është shprehur kreu i Mundësisë, Agron Shehaj.
Në një ekspertizë të detajuar prof. Kristaq Kume shpjegon për Top Channel se ky fenomen pritej të ndodhte pasi ka ndodhur edhe në 2021 ndonëse këtë radhë u propozuan ndryshime.
“Kjo pritej të ndodhte. Ka ndodhur në 2021 ku LSI mori 107 mijë vota dhe mori vetëm 4 mandate kur duhej të merrte 9. Kjo ka ndodhur edhe me partitë e reja të cilat thjesht kanë ndërruar vetëm emrat. 63 mijë vota nuk prodhojnë mandate. Ne i propozuam të bëhen ndryshime gjë që e lejonte Kushtetua pas ndryshimeve të 2020. Shqipëria të ndahej në 4 njësi zgjedhore”, tha eksperti Kristaq Kume.
Prof Kume ia faturon dy partive të mëdha mos angazhimin në procesin ligjor me synimin për të përfituar por që në fakt opozitën e penalizoi me 9 mandate minus.
“PS e përdori për të përfituar, por edhe PD mendoi se do të përfitonte. Por këtë radhë nuk garoi si parti, por si opozitë. Duke menduar se është edhe ajo e favorizuar në faktin që ndarja e mandateve bëhet me formulën D’Hondte s’u angazhua dhe ja se ku shkoi, opozita humbi të paktën 9 mandate”, tha ai.
Partitë e vogla sipas Kumes do të kishin pasur një shans por vetëm nëse nuk do ishte 42.16%.
“Partitë e vogla nuk krijuan frymë. Humbja më e madhe nuk është se do të qeverisemi nga të njëjtët, por që humbëm mundësinë për ndryshim që krijon kushte për në familjen e madhe europiane”, tha Kume.
Top Channel