
Ish-deputeti i PD-së, dashnor Sula, i ka bërë thirrje deputetëve që t’i rikthehen punës në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Sula shkruan se Parlamenti nuk është mbledhur që nga 16 marsi, duke shkruar se një palë duhet të ndalojë festën, ndërsa tjetra të vijojë me vajtimin brenda në seli.
“Kuvendi t’i rikthehet punës!
Gëzimet dhe fatkeqësitë nuk duhet të shërbejnë si argument që shteti të rrëshqasë në paligjshmëri. Parlamenti nuk është mbledhur që prej datës 16 mars, një muaj e gjysmë para datës së zgjedhjeve, ndonëse zyrtarisht fushata zgjat vetëm një muaj.
Megjithatë, ato që kaluan nuk zhbëhen më. Çka kemi në dorë ne të bëjmë, është që të kthehemi në rrugën e ligjshmërisë. Pra, Kuvendi dhe Parlamenti duhet të rikthehen në punë dhe të vijojnë me detyrat që i përcakton Kushtetuta, ligji dhe rregulloret.
Kushtetuta sanksionon që institucionet e pavarura raportojnë, japin llogari para Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa Rregullorja e Kuvendit, në nenin 103, pika 10, parashikon që raportimi i të gjitha institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj duhet të përfundojë para ligjvënësve jo më vonë se fundi i muajit qershor.
Në një kohë kur kemi dhjetëra institucione të rëndësishme kushtetuese apo të krijuara me ligj që duhet të raportojnë para ligjvënësve, duhet të mblidhet sa më parë Konferenca e Kryetarëve dhe të caktojë një agjendë të qartë dhe të ngarkuar për raportimin e këtyre institucioneve.
Njëra palë duhet të ndalë festën dhe tjetra të vijojë vajtimin në seli; të dyja palët duhet të zbatojnë Kushtetutën, ligjet organike dhe Rregulloren e Kuvendit dhe të mbledhin komisionet për të shqyrtuar raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë, SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme, KLSH-së dhe të gjithë institucioneve të tjera që përcaktohen në Kushtetutë”, shkruan Sula.
Top Channel