
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV.
Ajo ka përcjellë urimet e saj për Papën e ri dhe ka theksuar rëndësinë e mesazheve të tij në një botë të trazuar.
“Në profilin e Tij në rrjete sociale, Ati i Shenjtë ka të shkruar fjalën latine Pontifex, që është emërtesa tradicionale e Papës që prej Mesjetës, dhe do të thotë: ‘Ai që ndërton ura’,” shkruan Spiropali.
Ajo shprehet se uron që fillimi dhe vijimi i Pontifikatit të Papa Leoni XIV të jetë i mbushur me ura dashurie, vëllazërie dhe dialogu, në një kohë të mbushur me sfida globale, pasiguri dhe konflikte.
“Fjalët e Tij sot tingëllonin aq të vërteta dhe ftuese për hapjen e mendjeve të atyre që kanë mbi supe përgjegjësinë e fatit të popujve. Fjala e vërtetë është zanafilla e çdo hapi drejt së mirës,” vijon më tej reagimi.
Duke cituar Ungjillin sipas Gjonit – “Fjala u bë njeri dhe banoi ndër ne… dhe prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire mbi hire” – Spiropali shpreh shpresën që të gjithë njerëzit vullnetmirë të preken nga mesazhet e Papës dhe të jenë të hapur ndaj thirrjeve të tij për paqe dhe shpresë.
Ajo e përmbyll mesazhin me një urim: “Bekimet e Hyjit qofshin me Atin e Shenjtë dhe me të gjithë ne gjatë misionit të Tij hyjnor.”
Top Channel