“Fërkimet” mes Macron dhe Melonit/ Kryeministrja italiane mungoi në takimet e grupit të “të gatshmëve” për Ukrainën

17/05/2025 11:25

Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian mund të kishte qenë një mundësi për të ndrequr fërkimet në mesin e grupit të vendeve ‘Të gatshme’ për Ukrainën, apo “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, pas polemikave të lidhura me dështimin e Kryeministres Giorgia Meloni për të marrë pjesë në samitin e së shtunës së kaluar në Kiev, ku ajo qe e pranishme vetëm lidhjes video.

Megjithatë, pas një shkëmbimi fillestar premtues pikëpamjesh me Keir Starmer, Donald Tusk, Volodimir Zelensky dhe Ursula von der Leyen, takimi, shkruan Rainews, shkaktoi fërkime të mëtejshme. Në fjalimin e saj në samitin e Tiranës, Meloni përsëriti me forcë akuzat kundër Rusisë dhe mbështetjen e pakushtëzuar për Kievin.

“Plaga që lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës i ka shkaktuar sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, vazhdon të prodhojë efekte destabilizuese.  Për këtë arsye, ne duhet të këmbëngulim me vendosmëri për të arritur përfundimisht një armëpushim pa kushte dhe një marrëveshje të vërtetë paqeje, edhe pse bota ishte në gjendje të shihte se kush ishte vërtet i gatshëm të ulej në tryezën e bisedimeve dhe kush jo”-u shpreh Meloni.

Një pozicion ky krejtësisht në përputhje me shumicën dërrmuese të vendeve që mbështesin Ukrainën. Por më pas u bë e ditur, se liderët e vendeve “të gatshme” (Franca, Mbretëria e Bashkuar, Polonia) – njoftime këto që sipas medias italiane kanë rrjedhur nga pallati Elysee –ishin takuar në margjinat e KPE-së pa shefen e ekzekutivit italian.

Pasi thirri një konferencë të shkurtër për shtyp Meloni nënvizoi se lidhur me këtë debat për mungesën e prezencës italiane në takimet mes Britanisë së Madhe, Francës, Polonisë, Gjermanisë dhe Ukrainës, “më duhet të ritheksoj diçka që e kam shpjeguar disa herë: se Italia ka deklaruar prej kohësh se nuk është e disponueshme të dërgojë trupa në Ukrainë”. Macron iu përgjigj duke thënë se në takimin e të Vullnetshmëve nuk qe folur për dërgim trupash.

Unë mendoj se ka një keqinterpretim, diskutimi që kemi pasur ishte për të marrë një armëpushim në Ukrainë, nuk u diskutua për dërgimin e trupave as të shtunën e kaluar në Kiev dhe as sot,” tha presidenti francez, i cili me Melonin nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie shumë të mirë, sic u pa edhe nga përplasja e tyre në samitin e G7 vitin e kaluar në Puglia të Italisë.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta