Nga Eduard Zaloshnja

Shumë pritmëri e shumë debate ka patur për votat e diasporës, por 145 mijë prej tyre të numëruara deri tani, vetëm për 1 mandat kanë ndikuar – në Qarkun Vlorë. Në tabelën e mëposhtme mund të shihni sesi do të ishin ndarë mandatet pa votat e diasporës – pra vetëm me votat e zgjedhësve të këtushëm. Aty shihet se në këtë rast, PS-ja do të kishte 82 mandate, PD-ASHM 51, PSD 3, Lapaj-Shabani 1, Shehaj 2 dhe Qori 1.

I vetmi ndryshim pas futjes në llogari të votave të diasporës është kalimi i një mandati nga PD-ASHM tek PS-ja në Qarkun Vlorë. Po sa pritet të ndikojnë 50 mijë votat që do të numërohen në vijim, dhe që kanë ardhur tërësisht nga Greqia?

Statistikish ekziston mundësia që, ngjashëm me Qarkun Vlorë, të lëvizë 1 mandat nga PD-ASHM tek PS edhe në qarkun Lezhë, ku diferenca mes dy palëve është e ngushtë. Por probabilititeti është ndjeshëm më i ulët se në Vlorë.

Statistikisht ekziston mundësia që në Qarkun Tiranë të kalojë një mandat nga Shehaj tek PD-ASHM, por shkalla e probabilitetit të këtij kalimi varet nga fushata që mund të ketë bërë Shehaj në Greqi. Arësyeja kryesore përse Shehaj e ka ruajtur mandatin e dytë deri tani është përqindja relativisht e lartë e votave të ardhura nga përtej detit. Ndërsa në fqinjët jugorë ai ndoshta nuk ka qenë aq aktiv sa përtej detit.

Statistikisht ekziston mundësia që në Qarkun Fier të kalojë një mandat nga PS tek Lapaj-Shabani, por shkalla e probabilitetit të këtij kalimi varet nga fushatat që kanë bërë në Greqi socialistët e Fierit nga njëra anë, dhe Lapaj-Shabani nga ana tjetër. Nisur nga kronikat e muajve të fundit duket se socialistët e Fierit kanë qenë shumë më aktivë në fushatën e tyre në Greqi.

Duke përmbledhur, mund të thuhet se ekziston mundësia për ndonjë lëvizje tjetër mandatesh deri në përfundim të numërimit të votave të diasporës (përveç asaj të Vlorës), por kjo mundësi është e vogël.

Shpërndarja e mandateve me votat e këtushme (pa diasporën)
Qarku Mandate PS PD-ASHM PSD Shehaj Lapaj-Shabani Qori
TOTAL 140 82 51 3 2 1 1
Tiranë 37 19 13 1 2 1 1
Fier 16 12 4 0 0 0 0
Durrës 14 8 6 0 0 0 0
Elbasan 14 10 4 0 0 0 0
Vlorë 12 8 4 0 0 0 0
Shkodër 11 4 5 2 0 0 0
Korçë 10 6 4 0 0 0 0
Berat 7 5 2 0 0 0 0
Lezhë 7 3 4 0 0 0 0
Dibër 5 3 2 0 0 0 0
Gjirokastër 4 3 1 0 0 0 0
Kukës 3 1 2 0 0 0 0

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta