
Në qarkun e Shkodrës, demokratët fituan edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndonëse me 10 mijë vota më pak se 4 vite më parë.
Me 37.006 vota, shkodranët çuan në Parlament 5 deputetë të djathtë: Luciano Boçin, Greta Bardelin, Ramadan Likën dhe Kliti Hotin, ndërkohë që garën në listën e hapur e fitoi Bardh Spahia me 9.414 vota, duke lënë pas rivalin Tedi Kopliku.
Ndërkohë, socialistët, në rang qarku, fituan vetëm bashkinë e Malësisë së Madhe, ndonëse humbën edhe bashkinë Shkodër, të fituar vetëm dy vite më parë nga Benet Beci në zgjedhjet vendore.
Me 34.756 vota, rreth 4 mijë më shumë se sa 4 vite më parë, të majtët çuan në Parlament 4 kandidatë të listës së sigurt: Marjana Koçekun, Onid Bejlerin, si dhe Xhenis Çelen e Bujar Rexhën.
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e renditur forcë e tretë në qark, ruajti peshën elektorale të katër viteve më parë, duke siguruar dy mandate dhe rreth 16 mijë vota.
Edhe votat e diasporës, kur kanë mbetur më pak se 10% e zarfeve pa numëruar, nuk pritet të sjellin surpriza. Konfigurimi i mandateve duket tashmë i konsoliduar: 5 për demokratët, 4 për socialistët dhe 2 për socialdemokratët.
Top Channel