Samiti i Komunitetit Politik Europian, Rama: Nga Tirana, një mesazh i fortë për të ardhmen e Europës

16/05/2025 18:56

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar lart rëndësinë e Samitit të Komunitetit Politik Europian, që u zhvillua për herë të parë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një shenjë të qartë për përkushtimin e Shqipërisë dhe rajonit ndaj kontinentit europian dhe vlerave të tij themelore.

Në një deklaratë për mediat së bashku me homologen e tij daneze, Rama tha se samiti tregoi vullnetin për të mbajtur të bashkuar vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë europiane.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Jemi këtu për të ndarë disa konkluzione në këtë ditë të veçantë dhe unë kam nderin që jam këtu përpara jush me Kryeministren e Danimarkës, si edhe një mikeshë shumë të mirë timen, Mette Frederiksen, e cila po merr stafetën nga Tirana dhe do ta çojë atë në Kopenhagen, pasi ai është qyteti i radhës, ku do të organizohet Samiti i radhës i Komunitetit Politik Evropian.

U mblodhëm bashkë 54 udhëheqës, njësoj, anëtarë të BE e jo anëtarë, për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm, intensiv dhe do të thoja mjaft të hapur për një Evropë të re, në një botë të re, që ishte edhe titulli kryesor  i këtij Samiti. Kam vërtetë kënaqësi, që të them që, qysh prej fillimit, sot në Tiranë kemi një përkushtim të ripërtëritur ndaj kontinentit tonë e qytetarëve tanë për t’i mbajtur fort, bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka kemi të mundur për të mbrotjur vlerat dhe parimet tona të mishëruara në shoqëritë tona, duke mbrojtur vendet tona, duke mbrojtur qytetarët tanë dhe duke mbrojtur  të ardhmen e Evropës, ndërkohë diskutuam edhe si do të ecim më tej, e diskutuam për të investuar më shumë në novacion, për të investuar më shumë në ato fusha të Evropës, që i përkasin këtij komuniteti politik dhe në ato vende, të cilat nuk i përkasin ende BE dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë.

Mendoj që dita ka qenë e frytshme, patëm një sërë tryezash të rrumbullakta me një sërë temash diskutimi dhe në fund pati përfundime shumë interesante, të cilat do të çohen më tej nga danezët dhe ndërkohë vendosëm që do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE-së në kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Evropian.

Pak a shumë, kjo është një sintezë shumë e përgjithshme e asaj që bëmë sot, duke u përballur me vetë faktin që së bashku përfaqësojmë një treg 600 milionësh, një treg i jashtëzakonshëm me një potencial masiv e për të cilin na takon të bëjmë atë, që duhet për ta shndërruar këtë potencial në rezultate pozitive për njerëzit tanë, për vendet tona, për bashkësinë tonë të vendeve që kanë mendësi të njëjtë.

Dua t’ia kaloj fjalën tashmë Mettes dhe edhe njëherë nuk do të ndihesha më mirë se kaq, duke e ditur se stafeta është në duart e duhuara e pres me padurim që të takohemi së bashku në Kopenhagë duke marrë prej këtej.

Faleminderit, Mette.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen: Faleminderit shumë Edi, dhe faleminderit për të gjithë mikpritjen! Vërtetë që ka qenë një mikpritje shumë e ngrohtë, këtu në Shqipëri.

Mendoj që në fakt, ky forum është vërtetë shumë i rëndësishëm, për arsye se Europa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky lloj formati, ku ne kemi në këtë rast, shtete që nuk janë ende anëtare, por edhe shtete anëtare të BE-së, që ulen në tryezën e rrumbullakët dhe diskutojnë çështje të rëndësishme.

Ju folët për disa nga këto tematika, ne jemi të gatshëm tashmë të marrim stafetën dhe dëshiroj të theksoj që siguria do të jetë çështja jonë kryesore, pra përparësi, pasi jetojmë në një botë shumë të pasigurt, sot.

Rusia është një kërcënim i madh, jo vetëm sa i përket Ukrainës, por edhe të gjithëve ne, për shkak të sulmeve kibernetike, keqinformimit, dezinformimit dhe ata po përpiqen të shkatërrojnë demokracitë tona.

Prandaj, riarmatimi i Europës duhet të jetë prioriteti numër një i yni, dhe ne në rast se nuk jemi të gatshëm të mbrojmë njëri-tjetrin, si mund të ndihmojmë të tjerët?

Pra çështja numër një është siguria dhe kjo vlen edhe për Ukrainën.

Ata janë angazhuar për një armëpushim 30 ditor pa kushte, po nuk kemi parë sinjale ende nga Rusia, kështu që duhet të nxisim Rusinë, duke shtuar më shumë sanksione për t’i dhënë fund luftës, pra siguria është çështja numër një dhe siç e thatë edhe ju, ne jemi një treg vërtetë i madh.

Prandaj, konkurrueshmëria e kompanive, e firmave tona është e rëndësishme dhe duhet ta lidhë këtë me tranzicionin e gjelbër dhe ne duhet t’i japim fund karburanteve, por gjithashtu dhe gazet dhe hidrokarbureve naftës nga Rusia, ne duhet patjetër të jemi konkurrentë dhe që dhe klientët në të gjithë Europën të kenë energji me kosto të ulët dhe të gjelbër.

Gjithashtu, një temë tjetër shumë e rëndësishme si përparësi është migracioni, përfshirë edhe vendin tim. Situata ndryshon nga vendi në vend, por në pjesën tonë të Europës unë do të thoja që migracioni pothuajse ka qenë i pakontrolluar dhe pasojat tashmë janë të panumërta.

Prandaj dëshiroja të theksoja këto tre çështje kryesore.

Unë them që ju keni bërë një punë vërtet shumë të mirë. Samiti i sotëm ka qenë shumë i mirë dhe ne jemi gati për të marrë stafetën.

Zonja Frederiksen, ju theksuat shumë fort që përparësia numër 1 është siguria dhe një Europë e armatosur.

Zoti Rama, ju theksuat jo këtu, por në deklaratën hapëse që armatimi nuk është gjithçka. Pra shoh një lloj dallimi në këndvështrim. Apo shoh një lloj ndryshimi në mendim?

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen: Nuk e di nëqoftëse ka. Jemi vende të ndryshme europiane dhe nuk mendojmë dhe veprojmë njësoj, jemi të dy anëtarë të NATO-s dhe jemi për të marrë pjesë në Samitin e Hagës dhe natyrisht që ne do angazhohemi dhe më tej në NATO për të shpenzuar më shumë, në mënyrë që të jemi në gjendje që të riarmatosim të gjithë Aleancën brenda një afati të shkurtër kohe. Mendoj që duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten, jo sepse nuk jam transatlantike por   pikërisht sepse jam shumë transatlantike, por me pasigurinë që po sjell SHBA-ja në tryeze, mendoj që është e nevojshme për gjithë Europen që të jetë e aftë të mbrojë veten dhe nuk mund të fitosh një luftë pa armë, është thjeshtë e pamundur. Ne kemi, me përvojën që kemi vitet e fundit, nëse nuk jemi të gatshëm të mbrojmë veten, nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë veten atëherë jemi shumë të brishtë.

Riarmatimi  i Europes për mua është detyra më e rëndësishme. Ma ha mendja dhe natyrisht është shpresa ime që ky do jetë përfundimi i Samitit të Hagës pas një muaj, që të gjithë duhet të shpenzojmë më shumë për të frenuar dhe për të mbrojtur veten.

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk është kontradiktë, ka thjeshtë të bëjë me theksin, nuk kam asgjë kundër, përkundrazi mbështes plotësisht idenë që Europa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për mbrojtjen e saj dhe duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes. Kjo është afër mendsh. Por, nga ana tjetër, unë besoj se kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë. Dhe kapaciteti për të shtyrë në kërkim të paqes edhe të pamundur dhe vetë BE, është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije, të cilën ndoshta askush s’do ta besonte, por ja që ndodhi.

Armiq për vdekje u bënë aleatë strategjikë, e kështu me radhë, ndaj besoj që po, na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat është folur për mbrojtjen, por të mos harrojmë po kështu që kemi dhe një shpirt që na duhet ta mbrojmë, jo vetëm territorin dhe kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë.

Dhe kjo nënkupton që duhet të punojmë në të dyja drejtimet dhe natyrisht ka dhe një pikëpyetje. Një pyetje që duhet ta bëjmë se duhej pritur Donald Trump që të vinte dhe të merrte në konsideratë armëpushimin dhe mbrojtjen. Ndoshta sepse ne ishim shumë të përqendruar dhe mjaft të apasionuar pas një kauze shumë të drejtë e të duhur, por nga ana tjetër humbëm ca terren, kur vjen fjala për diplomacinë. Për këtë ishte fjala ime. Ishte për Europen ideale që nuk duhet ta humbasim nga sytë se nëse e humbim nga sytë, atëherë humbasim diçka që i bën territoret tona më pak me vlerë për t’i mbrojtur. Ky është mendimi im, por nuk ka asnjë kontradiktë këtu dhe sicc e tha Mette jeni shumë socialist edhe ndoshta nuk jemi socialistët më të mire, duke qenë se fitojmë zgjedhjet shumë, por ky është këndvështrimi im.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen:“Unë nuk jam socialiste, por gjithsesi nuk

Kryeministri Edi Rama: Ah nuk jeni socialiste ju?

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen: Social demokrate

Kryeministri Edi Rama: Ah social demokrate, po çfarë do të thotë kjo? Ja e shihni, pra jam social demokrate.

-Pyetja e parë për kryeministren Frederiksen. Ju folët për rëndësinë për të rritur trysninë ndaj Rusisë dhe me anën e sanksioneve por në mënyrë realiste a mund të bëjë më shumë BE sesa thjeshtë sanksione ndaj Rusisë pa mbështetjen e SHBA dhe a shihni ndonjë shenjë që presidenti Donald Trump në fakt është i gatshëm që ta bëjë këtë gjë?

Kryeminister Rama, ju sapo përmendët faktin që sapo keni rifituar zgjedhjet. Folët dhe për vlerat e BE duke përfshirë këtu dhe demokracinë por BE në fakt kur foli për Shqipërinë ishte goxha kritike. Foli në fakt për faktin që fusha e lojës nuk ishte e barabartë, foli dhe për faktin që pavarësia e medias vazhdon të jetë problematike dhe nuk e di nëse jeni dakord me këto citime dhe çfarë do bëni ju qeveria juaj për ti trajtuar këto çështje ndërkohë që kërkoni të bëheni shtet anëtar i BE. 

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen: Sa u përket sanksioneve, unë mendoj që deri më tash që SHBA ka qenë shumë e qartë, që ajo që i kërkoi Rusisë është që të bëjnë të njëjtën gjë që po bën dhe Ukraina në tryezë, që të pranojë të respektojë dhe të gëzojnë një armëpushim prej 30 ditësh. Ne kemi parë sinjale nga presidenti Trump që SHBA është e gatshme që të vendosë më shumë sanksione në tryezë, në rast se Rusia nuk është e gatshme që të arrijë marrëveshje dhe deri më tash Rusia nuk ka qenë e gatshme që ta bëjë këtë gjë. Shpresoj që kjo gjë të ndryshojë shumë shpejtë. Por në rast se jo,  unë shpresoj që të gjithë aleatët edhe partnerët nga jugu global dhe sigurisht në veçanti SHBA që ne punojmë nga afër sa u përket sanksioneve që ne të gjithë të jemi të gatshëm të bëjmë më shumë.

Unë do të sugjeroja që ne të shikojmë drejt sistemit bankar. Pra, sytë t’i hedhim drejt sistemit bankar, energjisë, naftës, por dhe flotës. Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të them që ajo çfarë cituat janë pak fjali të një deklarate shumë më të gjatë e gjithëpërfshirëse që praktikisht përshëndeti zgjedhjet shqiptare dhe iu është referuar akuzave që lidhen me raportin paraprak dhe raportet paraprake hartohen që të kontrollohen më tej e që të ballafaqohen me prova. Kështu që, do të thoja që në këtë drejtim zgjedhjet shqiptare janë shprehja e vullnetit të popullit shqiptar 100%, jo 99. Për pjesën tjetër, çfarëdo që është e nevojshme të përmirësohet do të duhet të trajtohet, s’ka aspak dyshim. Këtë kemi bërë zgjedhje pas zgjedhje e kështu e kemi përmirësuara procesin tonë zgjedhor, i cili nuk është ende si në Danimarkë, por që është shumë më i mirë se ç’ishte dhe është në pajtim me standardet e OSBE-ODHIR-it në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndokush tjetër nga të ftuarit? Po.

– Përshëndetje. Doja t’ju pyesja nëse presidenti Zelensky ju dha ndonjë përditësim për bisedimet me Rusinë dhe nëqoftëse theksoi se cilat do të jenë hapat e mëtejshme që është gati të ndërmarrë sa u takon bisedimeve të paqes? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Do flasësh ti? Jo, mendoj që ju e takuat më nga afër dhe në sesion e dëgjuat fjalën e tij, nuk e di nëse Mette ka diçka tjetër për të shtuar.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Unë mendoj që Ukraina është shumë e qartë për mënyrën se si po e trajton situatën si edhe mesazhet që ato po përçojnë nëpërmjet Europës që janë të gatshëm për të plotësuar pra dhe për të respektuar armëpushimin prej 30 ditësh pa kushte. Ka patur disa biseda sot dhe do të ketë tashmë disa pengje që do të lirohen dhe sigurisht që kjo është pozitive por gjithësesi pritet që Rusia të kthehet dhe të jetë serioze në tryezë. Këto janë fjalët e mia meqë ra fjala, më lejoni ta theksoj këtë gjë dhe që sigurisht, Ukraina na tha që ndërkohë që ne po përgatisim me shpresën që do të kemi një armëpushim, lufta në fakt po vazhdon, pra do të ishte shumë e lehtë për Rusinë që ta ndalonte luftën. Ato thjesht do të ndalonin, por siç e shihni ata po shtyjnë gjithnjë e më shumë Ukrainën. Ukraina ndërkohë do që të mbrohet, kështu që mesazhi nga Ukraina që morëm sot , është shumë i ngjashëm me ç’kemi parë më parë, që ‘’ju lutem, na jepni ato që na nevojiten në mënyrë që ne të mbrohemi nga Rusia” dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë. E kam fjalën për Danimarkën dhe shpresoj shumë që edhe vende të tjera dhe partnerë të tjerë do të sigurohen që të kenë të gjitha kapacitetet për të cilat ata kanë nevojë.

– Është e njëjta pyetje për të dy kryeministrat. A mund të ndani me ne se çfarë u diskutua sot në samit lidhur me procesin e integrimin e të Ballkanit Perëndimor, sidomos lidhur me Shqipërinë, sepse ashtu siç ka thënë edhe Kryeministri Rama, kemi pritur për një kohë të gjatë për ‘’martesën’’ me Bashkimin Evropian. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nuk u martuam sot.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Jo, por shpresoj që po ecim përpara dhe që të gjithë ne e kuptojmë që kjo është një detyrë vërtetë shumë e rëndësishme që do të thotë që procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë dhe siç e thatë edhe ju, disa vende kanë bërë një punë vërtetë shumë të mirë. Kështu që nga këndvështrimi europian, ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe në këtë detyrë, në fakt, mund edhe të zgjerohemi, por që sigurisht, ky proces do duhet të varet nga meritokracia dhe shpresojmë shumë që gjatë presidencës tonë do të marrim disa hapa të tjerë. Nuk ishte pjesë e rendit të ditës sot, po të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo çështje, si edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë.

Kryeministri Edi Rama: Ky format nuk ka të bëjë me zgjerimin e BE-së apo me procesin e anëtarësimit, por ju dëgjuat dje presidentin e Këshillit Evropian, i cili shpjegoi gjatë e gjërë se ku jemi, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë është gati të bëjë Bashkimi Europian, por ne duhet të bëjmë atë që na takon dhe pastaj mund t’u kërkojmë atyre të bëjnë atë çfarë u takon të bëjnë. Ashtu siç e tha Mette, është e bazuar në meritë dhe mbështetet në të gjithë procesin që është i mirë përcaktuar me një metodologji mjaft të qartë, me grup kapituj e kapituj të cilat ndjekin njëri-tjetrin. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme për ne është që kemi një sfidë në tryezë, kemi një agjendë mjaft ambicioze për të përmbyllur të gjitha negociatat brenda dy 2027. Mendojmë që mund ta bëjmë dhe që Komisioni Europian është krah nesh për të na ndihmuar. Shtetet anëtare janë për të na vëzhguar dhe për t’u siguruar që gjithçka mbështetet në rezultate dhe pastaj do të shohim. Por ky moment në kohë është fantastik për zgjerimin, për bashkimin e Europës dhe na duhet të përfitojmë nga ky moment dhe të shkojmë më tej. Dhe jam shumë e lumtur që ka një ndjesi të përgjithshme që Shqipëria po ecën shumë mirë, por me këta, duhet të arrish rezultate shumë të mira çdo ditë. Nuk është se mund të arrish rezultate të mira dhe të rrish pastaj duarkryq. Duhet të bëjmë çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë dhe jemi të përkushtuar që ta bëjmë një gjë të tillë.

Kështu që ju falenderoj shumë dhe edhe njëherë falenderoj kryeministren e Danimarkës, që u tregua kaq e sjellshme dhe qëndroi, e gjeti kohë që t’u përgjigjej pyetjeve.

Tashmë ju kërkoj leje që ta shoqëroj një mike kaq të veçantë e cila do të kthehet në shtëpi. Do të shihemi shumë shpejt. Flas për gazetarët e tjerë shqiptarë dhe mos u shqetësoni, do të jem shumë i hapur për t’iu përgjigjur pyetjeve. Nesër këtu kemi një eveniment fantastik, një forum të shkëlqyer investimesh me një numër të madh investuesish shumë, shumë të shquar që vijnë nga Lindja e Mesme, nga Europa, nga Amerika, dhe do të jetë një tjetër ditë e shkëlqyer për Tiranën dhe për Shqipërinë. Dhe nesër jam i sigurtë që pasi kryeministri britanik të largohet nga vendi, do të kthehet dielli. Faleminderit!

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta